Nënshkruhet marrëveshja për Skavicën, Rama: Krenar që kemi SHBA në krah. N/sekretari amerikan: Ju jeni lider i vërtetë

Kryeministri Edi Rama dhe Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach, nënshkruajnë sot Memorandumin e Bashkëpunimit Ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA.

Një nga projektet më të rëndësishme të këtij bashkëpunimi është ai për ndërtimin e HEC të Skavicës të cilin kreu i qeverisë e cilësoi si një ëndërr 50-vjeçare që bëhet realitet.

“Ky memorandum do të ndikojë ndjeshëm në hapjen e një kapitulli të ri për investimet jo vetëm amerikanë në Shqipëri. Do të rrisë eksportet shqiptare duke përmirësuar bilancin tregtar dhe do të fusë në rrugën e realizimit një ëndërr 50-vjeaçre që është ndërtimi i HEC-it të Skavicës gjë që e kthen Shqipërinë nga një vend i pasur në burime, por i varur në vijimësi nga moti dhe importi në një vend sovran në aspektin e prodhimit të energjisë.

Memorandumi po ashtu do të nxisë, dhe po ashtu e falënderoj nënsekretarin për bisedën shumë interesante që kemi zhvilluar dhe për angazhimin e tij personal për të nxitur bizneset që të vazhdojnë në këtë proces ku qeveria amerikane hedh hapin e parë duke u futur vetë përmes këtij memorandumi dhe duke u angazhuar vetë, për të mbështetur me ekspertizën e vet, me teknologjinë amerikane dhe patjetër për financimin, gjë për të cilën do të punojmë bashkërisht në ndërtimin e Skavicës, në mënyrë që të tjerët të vazhdojnë të ndjekin këtë shembull”, tha kreu i qeverisë shqiptare.

Në fjalën e tij kryeministri specifikoi ndër të tjera kontributin e SHBA-së  në rajon sepse sipas tij, falë tyre po përjetohet realitet tërësisht ndryshe.

Ardhja e Nënsekretarit personalisht për të kurorëzuar një proces të nisur nga vendosmëria e ambasadores ishte një vlerësim për kryeministrin Rama i cili solli në vëmendje se marrëveshja fillon konkretizimin e atyre që janë pikat kyçe të dokumentit të partneritetit strategjik midis dy vendeve.

Sa i përket investimit të parave nga vendet e tjera në Shqipëri kryeministri theksoi se është prioriteti i tyre të sigurohet që shumat e dhuruara të ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e ekonomisë e të përkthehet në përfitim reciprok.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm që kreu i qeverisë e theksoi si të rëndësishëm, ishte dhe qasja strategjike që i duhet vendit tonë për të pasur një rrjet të sigurt në procesin e kalimit në nivelin tjetër të digjitalizimit dhe të përpunimit të të dhënave.

“Shqipëria e shikon rolin e saj në rajon jo thjesht si një rol konstruktiv në ndërtimin e paqes dhe fuqizimit të dialogut por dhe si një rol pro-aktiv për rrugët e pastra të teknologjisë 5G”,- u shpreh Rama.

“Dua ti kthehem letrës së Trump: Shqipëria e shikon rolin e saj në rajon dhe si një rol proaktiv për rrugët e pastra të teknologjisë 5G, të cilat janë rrugë të pastra për fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë dhe fëmijët e fëmijëve të fëmijëve tanë. Ne nuk duam që një ditë të bukur fëmijët tanë të zgjohen dhe të jenë shumë vonë. Ne jemi krenar që nuk jemi vetëm dhe jemi në krahun e miqve tanë më të besueshëm dhe nuk kanë për ne ndonjë nevojë që t’i detyrojë të jenë miqtë tanë. Por shohin tek ne atë që ata shohin atë që ne shohim te ata. Miq të mirë në ditë të vështirë siç thotë populli shqiptar”, Tha Rama.

Më tej, kryeministri i uroi shërim të shpejtë nga Covid-19 presidentit Trump. “Dëshiroj që publikisht t’i uroj Presidenti Trump urim sa më të shpejt. Dhe ta falenderoj për vëmendjen dhe besnikërinë me të cilën SHBA kanë shoqëruar Shqipërinë në këto vite.”

Ndërkohë, nënsekretari amerikan falenderoi Rama dhe e quajti atë një “lider të vërtetë”. “Zoti kryeministër ju jeni me të vërtët një lider. Nuk ka një vend më të mirë ku doja të isha këtë kohë. Zoti e bekoftë vendin e mrekulklueshëm të Shqipërisë, Zoti e bekoftë Amerikën”, tha ai.