Nis kthimi i fëmijëve shqiptarë nga kampi “Al-Hol” në Siri, Kryeministri Rama niset drejt Libanit

Ka nisur operacioni për riatdhesimin e fëmijëve shqiptarë, të cilët ndodheshin në kampi “Al-Hol” në Siri. Operacioni humanitar pritet të rikthejë në familjet e tyre fëmijët e mbetur në Siri, një kërkesë kjo e vazhdueshme nga ana e familjarëve në Shqipëri.

Gjysmëhëna e Kuqe Siriane ka publikuar një  video në faqen e saj zyrtare në “Facebook”, ndërsa thotë se riatdhesimi i fëmijëve të mbetur në kampin "Al-Hol", është realizuar pas kërkesës së qeverisë shqiptare.

“Bashkëpunimi humanitar i kthen familjet nga kampi Al-Hol në Shqipëri Pas sigurimit të të gjitha lehtësive të nevojshme nga qeveria Siriane, përpjekjet e Gjysmëhënë së Kuqe Siriane në bashkëpunim me palët e interesuara, patën sukses në përfundimin e detyrës për kthimin e familjeve të banorëve të kampit në vendin e tyre, me kërkesë të qeverisë shqiptare”, thuhet në njoftim.

Sipas informacioneve të fundit, thuhet se deri tani janë evakuuar nga kampi famëkeq katër fëmijë shqiptarë dhe një grua e plagosur.  Operacioni po asistohet edhe nga ana e zyrtarëve të Anti-Terrorit, të cilët prej javësh ndodhen ne Siri për të bërë të mundur riatdhesimin e shqiptarëve të bllokuar në "kampin e ferrit".

Këtë operacion humanitar e ka përshëndetur edhe presidenca shqiptare, e cila bën apel, që të vijojë puna për rikthimin sa më parë të shqiptarëve në shtëpitë e tyre.

“Falënderojmë Gjysmë Hënën e Kuqe Siriane për lirimin e disa fëmijëve shqiptarë të kampit të Al Haël, të cilët shumë shpejt do të kthehen në Shqipëri. Tani punë për të kthyer të gjitha gratë dhe fëmijët që ndodhen në këtë kamp”, shkruan Tedi Blushi.

Aktualisht, që prej mbrëmjes së djeshme 4 fëmijë dhe një grua shqiptare ka lënë kampin, ndërsa operacioni vijon.

Pak ditë më parë, në kamp mbërriti edhe këshilltari i Presidentit Ilir Kulla, i dërguari i posaçëm i kreut të shtetit për çështjen e rikthimit të familjeve shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje shtesë mbi operacionin për riatdhesimin e fëmijëve shqiptarë nga kampi “Al-Hol” në Siri. Me një shënim në faqen zyrtare në “Facebook”, shefi i mazhorancës thotë nëse gjithçka shkon sipas planit, katër fëmijët e evakuuar do të mbërrijnë nesër në Shqipëri.

Ai thekson se ky operacion është bërë falë përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike, të cilat siç thotë Rama kanë zgjatur më shumë se një vit. Kryeministri Rama, i cili është nisur drejt Libanit, thekson se operacioni humanitar do të vijojë deri në kthimin e pjesës tjetër.

“Një hap nga finalizimi i fazës së parë operacionit kompleks për nxjerrjen e fëmijëve shqiptarë nga ferri i kampeve të Sirisë, pas një përpjekjeje diplomatike prej më shumë se një viti tanimë. Nëse me ndihmën e Zotit gjithçka do të shkojë sipas planit, nesër do të kthejmë në atdhe katër fëmijë dhe do të hapim rrugën për finalizimin e fazës së dytë, ku do të kthejmë edhe pjesën tjetër”, shkruan Rama.

“Jemi në fazën e operacionit kompleks të ndihmuar nga forcat tona në terren dhe forca të tjera. Ndërkohë operacioni është ndarë në dy faza, pasi janë zhvilluar negociata sekrete të pafundme dhe në këtë fazë të parë që është në zbatim shpresojmë që me ndihmën e Zotit të kemi katër fëmijë dhe një nënë të plagosur në kushte shëndetësore të vështira. Ndërkohë për fëmijët e tjerë të bëhet faza e dytë. Uroj dhe shpresoj që do ia dalim t’i kthejmë fëmijët. Jemi të përgatitur me akomodimin dhe psikologët. Pastaj me ndihmën e Zotit të sjellim dhe të tjerët. Për momentin nuk po flas më shumë. Nuk kemi ç’të themi më tepër. E dini sa komplekse është situata. Është një operacion që do duhej një roman me disa vëllime për ta shkruar”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi se të parët do merren katër fëmijë dhe një grua. Operacioni do të vazhdojë edhe në disa faza për të tërhequr të gjitha gratë dhe fëmijët e tyre.

Prej dy vitesh, ata mbahen në kampin e Al Kolit, kamp i kontrolluar nga kurdët të cilët ishin faktori kryesor në luftën kundër ISIS-it në terren. Gratë e ish-luftëtarëve shqiptarë që iu bashkuan shtetit terrorist të ISIS-it ngelen në rrugë dhe historia e tyre u bë e njohur për shkak të historisë së Alvin Berishës.