"Nuk presim Venecian", tetë eurodeputetë letër Ramës: Jemi të tronditur nga deklaratat tuaja!

Grupi i Partive Popullore Evropiane, i drejtohet me një letër kryeministrit Edi Rama, ku shprehin tronditjen nga deklarata e kreut të qeverisë shqiptare për të miratuar Kodin Zgjedhor pa pritur një opinion të Komisionit të Venecias.

Ata shprehen të shqetësuar nga zhvillimet e fundit në vendin tonë, teksa theksojnë se një nga kushtet e vendosura nga Këshilli Europian në 15 Mars 2020, është një reformë e mirëfilltë zgjedhore dhe zbatimi i saj i duhur në zgjedhjet e ardhshme, duke filluar me 25 Prill 2021.

Letra e plotë:

Ne jemi shumë të tronditur nga deklaratat tuaja që tregojnë se ju refuzuat këshillën e Komisionerit dhe dëshironi të shkelni praktikën e vendosur që asnjë miratim i ligjit të mos ndodhë përpara se të vlerësohet Opinioni i Komisionit të Venecias.

Ne, Anëtarët nënshkrues të Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, po ju shkruajmë me shqetësimin më të thellë në lidhje me zhvillimet e fundit legjislative në vendin tuaj.

Ju e dini që Grupi i Partisë Popullore Evropiane gjithmonë ka mbështetur dhe shoqëruar rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Qershorin e kaluar ne bashkë-iniciuam një rezolutë që u miratua me mbështetje të madhe ndërpartiake, duke rekomanduar hapjen e negociatave të pranimit në BE sapo Shqipëria të përmbushë 15 kushtet e vendosura nga Këshilli Europian në 15 Mars 2020.

Më e rëndësishmja midis këtyre kushteve është një reformë e mirëfilltë zgjedhore dhe zbatimi i saj i duhur në zgjedhjet tuaja të ardhshme duke filluar me 25 Prill 2021.

Ne u tronditëm kur mësuam se ju thyet Marrëveshjen e 5 Qershorit me Opozitën në gërmën dhe në frymën e saj, përmes miratimit të ndryshimeve të njëanshme në Kodin Zgjedhor me qëllim që të të pëfitoni në shpërndarjen e mandateve parlamentare.

Ne jemi vënë në dijeni se Kryetari i Shtetit tuaj i ka kërkuar Komisionit të Venecias një opinion mbi këto ndryshime dhe se Komisioneri Evropian për Zgjerimin ju ka këshilluar në mënyrë të përsëritur që të tërhiqeni nga votimi i ndryshimeve, të prisni opinionin e Komisionit të Venecias dhe t’i përmbaheni atij opinioni.

Ky opinion pritet në dhjetor dhe duhet të pasqyrohet në Kodin tuaj Zgjedhor përpara zgjedhjeve të përgjithshme të Prillit 2021 që, siç deklarohet në kushtet, duhet të jenë të lira dhe të drejta.

Kjo është shumë e rëndësishme në funksion të përpjekjeve për të mbajtur Konferencën e parë Ndërqeveritare, e cila shpresojmë të japë dritën e saj jeshile jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por edhe për Shqipërinë.