PD nuk lëshon koalicionet, PS i jep vetëm listat dhe pragun

Në mungesë të gjetjes së një konsensusi, mbledhja e Këshillit Politik të paktën ka shërbyer për një gjë; secila nga palët politike ka qartësuar qëndrimet e saj në raport me ecurinë e ndryshimeve të reja të Kodit Zgjedhor.

PD-ja synon që të mos preken koalicionet parazgjedhore dhe për këtë arsye kërkon edhe ekspertizën ODBE/ODIHR.

U tha qartë ky qëndrim edhe në letrën që Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili i dërguan Damian Gjiknurit, pak para fillimit të mbledhjes së Këshillit. E nënvizoi më pas edhe vetë Bylykbashi për mediat.

“Ka më shumë se dy javë që opozita i ka kërkuar si pikë të parë të rendit të ditës të Këshillit Politik që t’i drejtohemi ODIHR-it, për të kërkuar opinionin e tyre ekspert për çështjen që na ndan në mënyrë thelbësore, çështjen e garimit të lirë të partive politike në koalicione, siç janë sot të caktuara në Kodin Zgjedhor, e cila është në përputhje të plotë me Kushtetutën. Ka dy javë, më shumë se dy javë, që Partia Socialiste refuzon të dërgojë kërkesën në ODIHR, që është shkelje e drejtpërdrejt e marrëveshjes së 14 Janarit”, tha Bylykbashi

Pra, sipas përfaqësuesve të PD-së, Këshilli duhet t’i drejtohet si hap i parë,  OSBE/ODIHR-it për koalicionet dhe më pas  t’i hapet rrugë shqyrtimit të çështjeve të tjera ku rëndësi sipas tyre ka edhe hapja e plotë e listave të kandidatëve. Demokratët nuk kanë shfaqur ndonjë objeksion për çështjen tjetër; pragun elektoral.

Dhe ja ku vjen edhe qëndrimi i PS-së përmes Damian Gjiknurit në mbledhjen e Këshillit Politik.

Gjiknuri është shprehur se nuk mund të diktohet procesi i reformës nga kërkesat e opozitës dhe se në letrën e PD-së ai shikon më shumë sebepe për të mos gjetur kompromis.

Gjiknuri vjen edhe tek thelbi i çështjes që lidhet me koalicionet, që sipas tij, nuk ndryshon.

Pra, mazhoranca propozon ndryshimin e formulës së koalicioneve, duke hequr dorë nga koalicionet e përbëra, që u mundëson partive që përveçse të garojnë si pjesë e një aleance, të garojnë edhe më vete.

Në vend të kësaj, PS propozon që partitë të dalin me lista të përbashkëta kandidatësh.

Por, PD dhe LSI e kundërshtojnë me argumentin se nuk ka asnjë pengesë kushtetuese dhe as ligjore që koalicionet të mos qëndrojnë në formën aktuale.

“Propozimet tona janë të bazuara në praktikat evropiane dhe nuk është se kemi bërë shpikje. Edhe sa i takon koalicioneve është pikërisht qëndrim i yni i bazuar në praktikat evropiane. Kërkesa juaj për ODHIR është për të zvarritur procesin dhe futur në krizë kushtetuese vendin”, është shprehur Gjiknuri gjatë mbledhjes.

Por ku mund të lëshojë pe PS? Listat (deri tani sipas formulës kushtetuese dhe negociimit të pragut për tu zgjedhur deputet nga populli) dhe pragu elektoral i vendosur 3%. që mund të negociohet më pak.

“Unë jam i hapur për kompromis për çështjet e tjera nëse ju deklaroni se do të pranoni formatin e koalicioneve sipas shembujve evropian, shembuj që disa në fakt i keni dhënë dhe këtu.

Oferta jonë është të pranojmë formulën e koalicioneve sipas shembujve të vendeve evropiane me sisteme proporcionale rajonale me lista të hapura.

Më pas për çështjen e listave dhe pragut hajdeni të diskutojmë. Ne i qëndrojmë propozimit tonë për listat por megjithatë hajdeni të ulemi dhe të punojmë për të gjetur kompromis.

Tentativa që konsensusi të quhet imponim vetëm i njërës palë është i papranueshëm për mazhorancën”, është shprehur Gjiknuri gjatë mbledhjes së Këshillit. Qëndrimet e paracaktuara si para dhe gjatë mbledhjes nuk ndryshuan as në fund të takimit mbi dy orësh të Këshillit Politik.

Pas përfundimit të mbledhjes, Gjiknuri akuzoi opozitën se me kërkesat e saj po synon që të çojë vendin në një vakuum ligjor dhe krizë kushtetuese që mund të sabotojë zgjedhjet e 25 prillit.

“Kemi thënë, sill një përkufizim të koalicionit i marrë nga një ligj i Bashkimit Europian. Ata thonë të rrijë Kodi siç është. Ka rënë Kodi. Ky debat është shteruar më 30 korrik. Është taktikë bllokimi. Kjo bëhet e gjitha që të mbahet peng gjithçka vetëm nga formulimi për koalicionet, kjo është taktike për të çuar vendin në një vakuum ligjor dhe kushtetues dhe sabotuar zgjedhjet”, tha Gjiknuri.

Opozita rrëzoi pretendimin e Gjiknurit se nuk ka dorëzuar draft. Oerd Bylykbashi tha në fund të mbledhjes se propozimet janë, duke iu referuar draftit të dorëzuar në Këshillin Politik për ndryshimet e Kodit Zgjedhor.

“Kërkuan tekst, u kemi dhënë tekst. Zyrtarisht amendamente, të cilat garantojnë koalicionin siç është sot në Kodin Zgjedhor, në përputhje me Kushtetutën e ndryshuar më 30 korrik dhe listën e hapur 100 për qind. Të marrë versionin tonë, versionin e vet, t’ia çojmë ODIHR-it së bashku dhe e mbyllim këtë çështje, vazhdojmë diskutimet me çështje të tjera. Pikërisht këtë nuk do z.Gjiknuri, sepse e di që përgjigja që do të vijë është që: Ajo që po bëni po prek standardet ndërkombëtare për zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Bylykbashi.

Nga ana tjetër, PS u shpreh e gatshme që të lëshojë sa i takon pragut elektoral dhe hapjen e listave, duke kënaqur opozitën parlamentare. Në të dyja rastet, Damian Gjiknuri nënkuptoi se lëshimi nuk do të jetë i plotë, as për prag elektoral 1 për qind, sa e kërkon opozita parlamentare dhe as hapje e plotë e listave.

Për listat, Gjiknuri u shpreh i gatshëm që PS të negociojë, por jo të heqë dorë plotësisht nga përcaktimi i një kufiri minimal votash që kandidatët të prishin renditjen e partive në zgjedhje.

“Duhet të jetë një sasi e caktuar zgjedhësish, sepse kjo u jep qëndrueshmëri partive politike dhe listave të tyre. Ata që kanë peshë vlerësohen. Ndryshe sistemi është kaotik”, tha Gjiknuri./h.e

/argumentum.al

© Argumentum