Presidenti Meta, letër Ramës e Manastriliut: Situata e pandemisë drejt një katastrofe, duhet parandaluar në kohë.

Presidenti Ilir Meta u ka dërguar një letër Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu dhe Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi lidhur me përkeqësimin e situatës pas rekordit të djeshëm të “zi” nga COVID-19.

Presidenti Meta thekson se situata po shkon drejt një katastrofe dhe duhet parandaluar në kohë.

Postimi i plotë i Presidentit Meta në Facebook:
Nisur nga përkeqësimi i dukshëm i situatës së pandemisë COVID-19, me shtim të numrin të personave të infektuar, e fatkeqësisht me rritje edhe të numrit të qytetarëve të cilën kanë humbur jetën, shtrohet si domosdoshmëri një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, si një tjetër faktor rëndues.
Me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale e të njëanshme të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, situata e pandemisë pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe, që duhet parandaluar në kohë.
Në këto kushte, po bëj publike letrën zyrtare që i kam dërguar ministres së Shëndetësisë, për dijeni Kryeministrit ende në detyrë dhe Kryetarit të Kuvendit.