Presidenti Meta vlerson me “Nderi i Kombit” 3 heronjtë e luftës Antifashiste Vojo Kushi, Sadik Stavileci, Xhoxhi Martini

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me dekoratën “Nderi i Kombit” heronjtë legjendarë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Vojo Kushi, Sadik Stavileci dhe Xhoxhi Martinin (pas vdekjes), të cilët ranë heroikisht në luftë me pushtuesit italianë gjatë betejës epike në “Kodrën e Kuqe” në Tiranë.

Dëshmori i Atdheut Vojo Kushi u dekorua me dedikimin  “Si legjenda e heroizmit dhe atdhedashurisë më të lartë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Burim i përjetshëm frymëzimi për të gjithë gjeneratat e reja në betejat për liri”.

Sadik Stavileci u vlerësua “Për rolin e shquar deri në flijimin e jetës në mbrojtje të lirisë, si një ndër heronjtë dhe luftëtarët legjendarë në qëndresën dhe organizimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Shembull frymëzimi për gjithë gjeneratat e reja.”

Ndërsa Xhoxhi Martini, “Si shembull i atdhedashurisë së lartë deri në flijimin e jetës në mbrojtje të lirisë, një ndër heronjtë dhe luftëtarët legjendarë në qëndresën dhe organizimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Burim frymëzimi për gjithë gjeneratat e reja”.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit vlerësoi Muharrem Llanajn (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, me motivacionin: “Për kontributin e shquar në mbrojtje të lirisë së atdheut. I dalluar për guximin, sakrificat dhe qëndresën heroike në betejën e ‘Kodrës së Kuqe’ dhe në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare”.

Ndërsa me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” Presidenti i Republikës dekoroi Hatixhe Farkën (pas vdekjes), “Si shembull i përkushtimit, sakrificës dhe atdhedashurisë së pakufishme në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Simbol i përjetshëm i heroizmit të nënës tiranase, e cila nuk u lëkund nga ideali për çlirim kombëtar megjithë torturat, burgosjet e familjes dhe flijimin e bijve të saj për lirinë e atdheut”.

Kreu i Shtetit çmoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” piktorin dhe artistin e shquar tiranas Sali Shijaku, me motivacionin: “Si një nga personalitetet e spikatura të artit tonë kombëtar, një ndër piktorët më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX, duke sjellë në artet figurative pikturën e tij thellësisht kombëtare, koloritin e fuqishëm, simbolikën e veçantë, si dhe monumentalizmin në shumë vepra me temë historike”.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë solemne të dekorimeve, duke iu drejtuar familjarëve të Dëshmorëve të Atdheut, anëtarëve të Komitetit të Veteranëve të LANÇ-i, miqve dhe artistëve të pranishëm, Presidenti i Republikës u  shpreh se, “sot nderojmë një prej betejave më të lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, flakët e së cilës ndriçuan ëndrrën për liri të çdo familje të Tiranës por edhe të çdo familjeje shqiptare! Kanë kaluar 78 vjet dhe këtë akt të lartë vetëmohues të Heronjve, shqiptarët e ruajnë të shenjtë në memorien e tyre si Epopeja e Lavdishme e Kodrës së Kuqe”.

“78 vjet më parë si sot,  pikërisht  më 7 Tetor 1942 në kryeqytet, në Kodrën e Kuqe, në shtëpinë e Ije Farkës Heronjtë  e Popullit Vojo Kushi, Xhoxhi Martini e Sadik Stavileci shkruan me gjak një nga faqet më të ndritura të heroizmit, atdhedashurisë, vetëmohimit dhe trimërisë së popullit shqiptar në luftë kundër okupatorit fashist. Sot bashkë me tre Heronjtë e dashur, trimin e Shkodrës Vojo Kushi, djalin e Tiranës Xhoxhi Martini dhe birin e Gjakovës, Sadik Stavileci po vlerësojmë edhe djaloshin e Vranishtit, luftëtarin e katërt të Kodrës së Kuqe, atdhetarin Muharrem Llanaj, i cili edhe pse kishte marrë plagë të shumta, dhe humbi ndjenjat, luftoi burrërisht krah të shokëve të tij”, theksoi Meta.