Presidenti Thaçi: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet aktualisht në SHBA, është shprehur se ka marrë mbështetje të plotë për integrimin euro-atlantik të Kosovës.

Thaçi shton po ashtu se me zyrtarët e shtetit amerikan diskutuan për hapat që duhet të ndërmerren në ecjen përpara të shtetit tonë.

“Mund të them se pas vizitës që kisha javën e kaluar në Bruksel ku diskutova me të ngarkuarin special të Bashkimit Europian për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi ishte mundësi dhe ishte e nevojshme dhe e domosdoshme që të jem edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që në këtë fazë të dialogut Kosovë-Serbi por edhe hapave tonë të mëtutjeshëm për integrime euroatlantike të jemi në Uashington dhe kisha kënaqësinë e veçantë që të bashkëbisedojë me zyrtarët e Departamentit të Shtetit dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë së SHBA-së për hapat që duhet t’i ndërmarrë Kosova aktualisht por edhe në të ardhmen”, u shpreh Thaçi për RTV21.

“Mund të them lirisht se SHBA vazhdon të mbështesë fuqishëm Kosovën në zhvillimet e brendshme, në stabilitetin institucional, në prioritetet që kemi ne si shtet dhe Kosova do të vazhdojë të mbetet aleati më besnik i SHBA-së në rajonin tonë”, shtoi kreu i shtetit.

Thaçi thotë se në Bruksel dhe SHBA kërkoi që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë të ketë vetëm një rend dite, çështjen e njohjes reciproke në mes të dy vendeve.

“Bashkëpunimi me SHBA-në është në vazhdën e angazhimeve tona strategjike, por ajo që duhet të theksoj është që edhe me zyrtarët në Bruksel por edhe në SHBA kam theksuar qartë se çështja e dialogut Kosovë-Serbi ka hyrë në një fazë të re dhe duhet të jetë vetëm një pikë e rendit të ditës, ajo e njohjes reciproke në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe pastaj vijnë çështjet e tjera. Ne duhet të vazhdojmë këtë proces duke filluar nga koka e çështjes dhe jo nga bishti”, tha Thaçi.