Rindërtimi / Bregu i Lumit për të prekurit nga tërmeti, Rama: Do të jetë një qendër e re e Tiranës

Është hapur kantieri i parë për ndërtimin e një lagjeje të re në zonën e Bregut të Lumit, ku do të strehohen të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kryeministri Edi Rama tha se kjo lagje do të shndërrohet në pak kohë nga një zonë kaotike në një nga qendrat e reja të Tiranës.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj tha se do të jenë 10 pallate të reja që do të ndërtohen në këtë lagje me 1000 apartamente për të dëmtuarit nga tërmeti dhe jo vetëm, në zonën e Bregut të Lumit.

Nga ana e tij, ministri i rindërtimit Arben Ahmetaj tha se zona e ‘5 Majit’, e cila shpesh në mënyrë të stigmatizuar është quajtur Bregu i Lumit, do të jetë simbol i infrastrukturës moderne.

“Do jetë një nga lagjet më moderne që do të ketë kryeqyteti, ky është praktikisht një qytet. 11 mijë familje, do të jetë një nga 4-5 qendra e qytetit të Tiranës, do angazhohen mbi 1600 të punësuar”, tha ministri Ahmetaj.