Shqipëri-Maqedoni e Veriut/ Arrihet marrëveshja e bashkëpunimit mes dy vendeve, për çertifikatat fitosanitare

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut konkretizuan sot marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy vendeve, për çertifikatat fitosanitare të produkteve bujqësore.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi dhe homologu i tij maqedonas Arjanit Hoxha nënshkruan sot në Tiranë marrëveshjen e bashkëpunimit, duke hedhur një hap të ri në lehtësimin e shkëmbimeve tregtare të produkteve bujqësore mes dy vendeve.
“Nënshkrimi i sotëm i Marrëveshjes së Bashkëpunimit në Fushën Fitosanitare është finalizimi i një pune të përbashkët që kanë bërë dy vendet tona që prej 26 shtatorit 2019 kur unë prita në një takim zyrtar homologun e asaj kohe nga Maqedonia e Veriut, Trajan Dimkovski. Më pas në pranverë të këtij viti dakordësuam draftin e marrëveshjes gjatë një video-call teksa ndodheshim ende nën regjimin e masave të rrepta anti Covid dhe diskutuam për impaktin e Covid në sektorin e bujqësisë”, u shpreh ministri Çuçi.
Sot mbërrijmë në këtë moment final të nënshkrimit, theksoi ministri, ku nis një rrugëtim i ri mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përsa i përket shkëmbimeve tregtare të produkteve bujqësore.
Sipas tij, produktet bujqësore shqiptare eksportohen në vendet e BE-së pa patur nevojë për teste shtesë analizash. Kjo praktikë e mirë duhet ndjekur edhe me Maqedoninë e Veriut, prandaj ishte e domosdoshme që të kishim një marrëveshje mes dy vendeve që adresonte këtë shqetësim të agrobiznesit.
Çuçi theksoi se, përmes kësaj marrëveshje, përshpejton dhe lehtëson procedurat e njohjes së dokumentacionit të lëshuar nga palët nëpërmjet njohjes së certifikatave fitosanitare për shkëmbimet tregtare të produkteve bujqësore.
Njihen rezultatet e testeve dhe vlerësimit të laboratorëve, jo vetëm të akredituar, por edhe të autorizuar, duke bërë të mundur kalimin e ngarkesave në Pikat e Inspektimit Kufitar, pa vonesa dhe pa marrje mostrash shtesë.
Këto lehtësi reduktojnë dokumentacionin dhe kohën e pritjes në kufi të kamionëve/ ngarkesave që rrjedhimisht do të thotë më pak kosto për biznesin, më shumë rritje e volumit të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.
“Marrëveshja që sapo nënshkruam forcon bashkëpunimin mes dy vendeve edhe në rrafshin politik, si dy shtete fqinje me lidhje të forta miqësie e historike. Kjo marrëveshje parashikon edhe krijimin e grupeve të përbashkëta teknike për zbatimin e politikave të mbrojtjes së bimëve dhe aplikimin e teknologjive të reja në fushën fitosanitare;  përmirësimin e legjislacionit respektiv, mbrojtjes territoriale nga organizmat e dëmshëm të prodhimeve bujqësore dhe informacion mbi kërkimin shkencor në sektorin e bujqësisë”, deklaroi ministri Çuçi.
Ai tha se, “nënshkrimi i kësaj marrëveshje mes dy vendeve është gjithashtu edhe nën frymën e Shengenit Rajonal, një forme të re kooperimi që kanë rënë dakord të krijojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor, për t’i dhënë një tjetër dinamikë zhvillimit ekonomik në rajon përpara se ne të jemi pjesë e Bashkimit Europian”.
“Jam shumë i kënaqur që bujqësia është sektori i parë që hedh një hap konkret dhe shumë inkurajues drejt zhbërjes së barrierave mes dy vendeve tona. Në kuadër të Shengenit Rajonal, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është përfshirë në 4 objektiva madhorë: Lëvizja e lirë e Njerëzve, Mallrave, Shërbimeve dhe Kapitaleve. Nënshkrimi sot i Marrëveshjes për Bashkëpunimin në Fushën Fitosanitare lidhet pikërisht me lëvizjen e lirë të mallrave. Sa i përket lëvizjes së kapitalit janë dy shtylla kryesore. Së pari, rritja e investimeve të huaja direkte, duke nxitur vendet tona që të promovohen dhe dalin si një treg i vetëm për afrimin e investitorëve në sektorë strategjikë siç është bujqësia dhe turizmi rural. Së dyti, ka të bëjë me zbatimin e Procesit të Berlinit”, deklaroi ministri Çuçi, ndërsa u shpreh se “qeveria dhe ai si ministër i Bujqësisë do të vazhdojnë përpjekjet që këto marrëveshje t’i nënshkruajnë edhe me vendet e tjera, Serbinë e Malin e Zi pasi me Kosovën tashmë janë hequr barrierat e certifikatave fitosanitare dhe kjo do të jetë pjesë e realitetit të Shengenit Rajonal”.
Nga ana e tij ministri Hoxha e cilësoi nënshkrimin e marrëveshjes një hap të rëndësishëm drejt heqjes së të gjitha barrierave të ndalesave kufitare sidomos për produktet që e kanë pasur afatin shumë të shkurtër të skadimit dhe i ka qëlluar që të presin 48 orë në pikat doganore.
Ai solli në vëmendje se marrëdhëniet e mira mes dy vendeve kanë filluar me lëvizjen e lirë përmes heqjes së barrierave të pasaportave dhe kryerjes së lëvizjes me kartë identiteti.
“Ky  është një hap i radhës ndërsa do të vijojmë me marrëveshje të tjera për të ndërtuar një treg të integruar, që do t’i paraprijë një integrimi të vendeve në BE”, deklaroi ministri i Maqedonisë së Veriut për Bujqësinë, Pylltarinë dhe Ekonominë e Ujërave./ata