Shqipëria si fushëbeteje e agjenturave iraniane

EDITORIAL

Këtë javë Policia e Shtetit raportoi arrestimin e radhës të një shtetasi Iranian. Në deklaratën e policisë thuhet  se ky shtetas  ishte arrestuar për kryerje të veprave penale, duke përfshirë “” përgjimin e paligjshëm të të dhënave kompjuterike “dhe” ndërhyrjen në sistemet kompjuterike, “ndërhyrjen në të dhënat kompjuterike” si dhe “keqpërdorimin e pajisjeve”, ” duke shtuar se “përmes veprimeve të ndryshme, (ai) komunikoi përmes një aplikacioni për mesazhe në rrjet, të cilin e përdori duke e lidhur me numrat e telefonit celular” për t’i dëgjuar dhe gjurmuar ata.

Krahas shtetasit B.P , në pranga ranë dhe dy persona të tjerë edhe këta iranianë, S. Ç dhe T.M, kjo e fundit u ndalua në Rinas pasi lëvizte më një pasaportë të falsifikuar norvegjeze ndërsa mësohet se policia është vënë në ndjekje dhe të një personi të katërt, thuhet në deklaratë.

Prania e shtetasve Iranian në Shqiperi të dyshuar si agjentë është hasur që nga viti 2016, kohë kur Shqipëria strehoi 3000 muxhahedinë ( MEK).

Nisur dhe nga rastet e tjera të shtetasve Iranian të dëbuar apo të arrestuar në Shqipëri, duket se Shqipëria është kthyer në një “fushëbeteje” e agjenturave iraniane, pra ndërmjet opozitës(MEK) dhe Teheranit. Kjo bën që vendi ynë tashmë të jetë shënjestër e drejtpërdrejtë nga aktet terroriste  të mundshme ndaj Muxhahedinëve në Kampin Ashraf që ndodhet në Manzë (Durrës), pasojat e së cilës do binin mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët.

Saga e kësaj “beteje” me Iranin ka nisur në vitin 2016 kur  Shqipëria, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u zotua të strehojë rreth 3 mijë anëtarë të organizatës Mojahedin-e-Khalq, njohur ndryshe me akronimin MEK. Kjo organizatë, e cila nga Irani dhe Iraku konsiderohen si organizatë terroriste, është e njohur për aktivitetin e saj politik kundër regjimit të Teheranit.

Prej vitit 2016 autoritetet shqiptare kanë dëbuar 4 diplomatë iranianë, ndërsa në mars të vitit 2019, policia deklaroi se kishte mundur të zbulonte dhe parandalonte aktivitetin e një rrjeti terrorist që përbëhej nga 4 iranianë dhe që kishte lidhje me Gardën Islamike Revolucionare të Iranit.

Në mesin e janarit të këtij viti, ministri i Jashtëm Gent Cakaj, shpalli “non grata” dhe dëboi nga Shqipëria dy diplomatë në Ambasadën e Republikës Islamike të Iranit në Tiranë. Njoftimi theksonte se dy diplomatët “kishin tentuar të kryenin aktivitete kundër komunitetit muxhahedin” në Manzë.

Në korrik të këtij viti, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, urdhëroi dëbimin nga Shqipëria të Dabiel Kassrae një iranian 29-vjeçar me nënshtetësi italiane. Në urdhrin e dëbimit 29-vjeçari u shpall i padëshiruar dhe iu ndalua hyrja në Shqipëri për 15 vite. Ai kishte hyrë në vendin tonë në vitin 2016 dhe dyshohej se ka qenë i infiltruar dhe ka punuar për llogari të regjimit të Iranit.

Ndërsa në tetor të vitit të kaluar, Policia e Shtetit identifikoi anëtarët e një celule terroriste iraniane që planifikonte sulme terroriste në Shqipëri kundër MEK , në dhjetor të 2018 Shqipëria shpalli person të padëshiruar ambasadorin e Iranit në Tiranë dhe një diplomat tjetër, pasi kishte dyshime se ishin pjesëmarrës “në aktivitete që cenonin sigurinë në Shqipëri”.

Pavarësisht se nga shteti Shqiptarë duket se situata është nën kontroll, duket e qartë se  strehimi i tyre në Shqipëri ka ekspozuar vendin përballë nismave të ndryshme agjenturore, por dhe terroriste.

Por kush janë Muxhahedinët  dhe si u strehuan në vendin tonë?

Ky grupim, i cili nga regjimi aktual i Iranit njihet si grupim terrosit u krijua në vitin 1965 dhe që në fillimet e tyre e deri në vitin 70’ kanë qenë në opozitë me ish liderin e Iranit Mohammad Reza Shah. Pas përmbysjes së regjimit të tij dhe triumfit të revolucionit islamik, kjo organizatë sërish mbeti në opozitë, pasi ishte kundër organizimit shtetëror që bëri lideri Ajetullahu Ruhollah Homeini. Në këtë situatë ku u shpallën të padëshiruar në vendin e tyre, ata u larguan nga Irani. Një pjesë emigruan në vendet perëndimore dhe një pjesë shumë e madhe u strehuan në Irak, ku ngritën kampin “Ashraf”. Pas konfliktit të SHBA-ve në Irak dhe hyrjes së ushtrisë amerikane në këtë vend për të rrëzuar regjimin e Sadam Husein, muxhahedinët iranianë dolën në krah të SHBA dhe ushtrive të NATO-s.

Në vitin e fundit të mandatit të tij si Kryeministër, Sali Berisha ra dakord me Sekretaren e Jashtme të SHBA-ve në vitin 2013, Hillari Klinton, që nga Iraku të mbërrinin në Tiranë 270 muxhahedinë. Këta të fundit morën të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe u trajtuan me statusin e azilantit politik.

Ky hap i qeverisë Berisha u vazhdua edhe nga Kryeministri Edi Rama. Ai ra dakord me autoritetet amerikane që në Shqipëri të strehoheshin një numër rreth 3 mijë muxhahedinësh iranianë. Me ardhjen e këtij kontingjenti të dytë të opozitës iraniane, u ngrit edhe kampi “Ashraf” në zonën e Manzës në periferi të Tiranës. Kryeministri Rama, këtë hap të tij e konsideroi si një vendim humanitar dhe jo politik.

Pas këtij vendimi të Ramës pati një sërë reagimesh në nivelet më të larta të qeverisë amerikane, deri edhe te Presidenti, që shprehu falënderimet për këtë akt të ndërmarrë nga qeveria shqiptare. Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta zyrtare, numri i muxhahedinëve që strehohen në kampin e Manzës shkon rreth 3500. Kampi është i organizuar mbi modelin e një qyteze të vogël ku ofrohen të gjitha shërbimet brenda.

Megjithese Kryeministri Rama e quan strehimin e 3500 muxhahedineve si  akt humanitar dhe jopolitk, ngjarjet pas ardhjes së muxhahedinëve në Shqipëri, tregojnë se  është kthyer më shumë se sa politike. Duke pranuar muxhahedinët në Shqipëri në mënyrë të drejtëpërdrejtë pranuam se do jemi në konflikt me shtetin Iranian.

Kjo e vë sigurinë kombëtare përballë rreziqesh të mëdha. Kujtojmë  se Irani e kërcënoi  Shqipërinë, pas vrasjes nga SHBA të gjeneralit Qassem Soleimani nga SHBA, komandant i QUDS, njësisë për operacione jashtë Iranit, e njohur si  krahu operacional i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.

Duke iu referuar prezencës së pjesëtarëve të kësaj lëvizjeje në Shqipëri dhe vizitës së James Jones, këshilltarit për Siguri Kombëtare të ish-presidentit amerikan, Barack Obama, me pjesëtarë të MEK-ut në zonën e ashtuquajtur Ashraf-3, në Shqipëri, lideri iranian ka thënë:

Disa ditë para kryengritjes, në një vend të vogël dhe djallëzor të Evropës, një amerikan dhe një numër i iranianëve kanë organizuar plane, që ne i kemi parë në incidentin me naftë. Në momentin që protestuesit kanë dalë në rrugë, kanë filluar operacionet e armikut. Shkatërrim, djegie, vrasje. Ky ka qenë rikthim i punës që kanë bërë më parë. Dhe ata do të vazhdojnë të bëjnë kësi gjëra dhe do të bëjnë çfarëdo që munden”, ka shtuar lideri iranian.

Pas kësaj pati deklarata të ndërsjellta politike mes Shqipërisë dhe Iranit. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta iu kunderpergjigj  duke thënë se “Shqipëria nuk është një vend djallëzor, por një vend demokratik që ka vuajtur nga një diktaturë djallëzore e pashembullt, ndaj të drejtat e njeriut i ka të shenjta”.

Pavarësisht se në pamje të parë nuk duket gjendje alarmante, në të vërtetë strukturat e sigurisë dhe inteligjences në Shqipëri janë të përqëndruar pikërisht në perimetrin e Kampit Ashraf, që për hirë të së vërtetës nuk e meriton ta quajmë kamp por “Shtet brenda Shtetit” .

Kohë më parë Ministria e Brendshme, do deklaronte  se grupet e terroristëve kanë piketuar më së shumti hidrocentralet dhe ndërmarrjet e Ujësjellësit. Nisur nga një dyshim i tillë janë kërkuar marrja e masave ekstreme, sidomos gjatë muajve të pushimeve, kur vëmendja e Policisë është orientuar në plazhe, atje ku ka edhe më shumë popullim.

Pas këtij informacioni, Policia shqiptare ka përpiluar një qarkore, të cilën ua ka dërguar të gjitha drejtorive të policive në qarqe, duke kërkuar marrjen e masave shtesë në këto objekte të rëndësisë së veçantë. Një tjetër qarkore u është dërguar edhe drejtorive të policive kufitare në shkallë vendi.

Ndërsa  strukturat tona janë në alert, lidershipit tonë u mjaftojnë vlersimet dhe letrat falendëruese  nga SHBA apo dhe nga vete liderja e  Muxhahedinëve .

Kujtojmë se  reagimet për dëbimet e sipërpërmendura, kanë qenë të shumta; Këshilltari për sigurinë i presidentit të SHBA-ve, John Bolton, në Twiter për ngjarjen: “Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sapo dëboi ambasadorin iranian, duke u treguar udhëheqësve të Iranit që mbështetja e tyre për terrorizmin nuk do të tolerohet. Ne jemi përkrah zotit Rama dhe popullit shqiptar teksa ata kundërshtojnë sjelljen e padëshiruar të Iranit në Europë dhe në gjithë botën

Liderja e muxhahedinëve Maryam Rajavi, ka reaguar në lidhje me dëbimin e dy diplomatëve iranianë nga ana e Tiranës zyrtare: “Dëbimi nga qeveria e Shqipërisë e dy diplomatëve të regjimit iranian është një masë e guximshme dhe e admirueshme në luftën kundër terrorizmit dhe sigurimin e sigurisë së njerëzve të Shqipërisë dhe refugjatëve iranianë. Vende të tjera evropianë duhet të mësojnë nga Shqipëria. Pasi qendra diplomatike iraniane në vendet e tyre janë qendra spiunazhi dhe terrorizmi.

Presidenti amerikan, Donald Trump i pati dërguar letër falënderuese kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për dëbimin e ambasadorit të Iranit nga Shqipëria.

Faleminderit për përpjekjet tuaja të palëkundura duke iu kundërvënë Iranit dhe duke iu kundërpërgjigjur veprimeve të tij destabilizuese dhe e përpjekjeve për t’i heshtur disidentët anembanë botës", ishte deklaruar mes tjerash ai.

Mjafton të shohim  këto deklarata për të kuptuar se Shqipëria është përfshirë totalisht politikisht, pasi sikundër citohet më lart vendi ynë  po parandalon ”terrorizmin dhe po kundërshtojnë sjelljen e padëshiruar të Iranit në Europë dhe në gjithë botën” duke e vënë vendin tonë në  objektivin e një lufte të  drejtpërdrejtë me Iranin.

Kur në pak muaj kemi disa arrestime e dëbime të të ashtuquajtureve “agjente Iranian”, që më shumë mundësi nuk do të jenë të fundit , ndoshta ka ardhur koha që politika të reflektoje duke mos pranuar të bëhet fushëbeteje e një lufte që nuk na përket./d.m

/argumentum.al

© Argumentum