Socialistët votojnë Kodin Zgjedhor që "divorcon" Bashën nga Kryemadhi

Kuvendi miratoi me 97 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenime, ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor.

Votimi është bërë me fletë votimi dhe jo me elektronikë, ndërsa nuk pati diskutim nen për nen gjatë seancës plenare, por vetëm debate kryesisht nga opozita në Kuvend që edhe kësaj here, siç do votim tjetër, tregoi se nuk është solide.

Kryeministri Rama pohoi se mirëkuptimi me opozitën u kërkua gjatë, para se të vazhdohej me procedurat parlamentare.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se ky veprim i socialistëve goditi rëndë integrimin europian të Shqipërisë.

Sipas variant socialist, i kthyer tashmë në ligj, koalicionet zgjedhore duhen regjistruar në garë me lista të përbashkëta dhe pjesërisht të hapura. Praktikisht kjo do të sjellë daljen e LSI dhe PD të ndara, duke pasur tre grupime kryesore në zgjedhje sëbashku me PS.

Kjo formulë e ul ndjeshëm mundësinë që qytetarët të zgjedhin kandidatët më të mirë nga listat e partive, ndërsa opozita kërkoi lista plotësisht të hapura, që të fuqizohej elementi mazhoritar.

Ndër të paktat ndryshime me rëndësi, pas kësaj, ishin ulja e pragut nga 3 në 1 për qind dhe kandidimi i kryetarëve në 4 zona.

“Ata që sot nuk janë në parlament asnjëherë nuk u kanë dhënë subjekteve të tjera politike aq mundësi sa po marrin sot, dhe janë zhveshur vet nga mundësia për të imponuar këtij parlamenti mendimet e veta” tha Rama.

Partia Demokratike me aleatët u largua nga parlamenti afro 20 muaj më parë dhe projektin e vet e dërgoi në Këshillin Politik, një forum pozitë-opozitë, ku u arrit marrëveshja e 5 qershorit, e cila sipas zotit Basha, sot u shkatërrua, bashkë me investimin e ndërkombëtarëve për mirëkuptim politik dhe integrim të shpejtë europian.

“Ndryshimet që kalojnë sot janë plotësisht antikushtetuese. Ato tregojnë tmerrin dhe frikën e Edi Ramës nga procesi zgjedhor. Nuk ka formulë që e shpëton Edi Ramën nga ndëshkimi i merituar popullor. Sikur vetëm për premtimet e pambajtura dhe për efektin e tyre si litar në fytin e familjeve shqiptare, Edi Rama do të largohet me një votë plebishitare”, tha Basha.

Një rol jo të vogël po luajnë në këto zhvillime edhe deputetët e ashtuquajtur të opozitës brenda-parlamentare.

Ata trashëguan për inerci të Kodit Zgjedhor mandatet e djegura nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj, por shumica e tyre votojnë pro të gjithë projekt-ligjeve që sjellin socialistët.

Partia Socialiste ka 74 vota në parlament, për ndryshimet e Kodit Zgjedhor sot nevojiteshin 84 vota, por zelli i tyre përkrah socialistëve e ngriti miratimin në 97 vota.

E vetmja që përpoq gjithë kohës deri në fund të bëjë diçka për mirëkuptimin dhe listat plotësisht të hapura është deputetja Rudina Hajdari, e cila sot bllokoi foltoren për mbi 2 orë.

“Në këtë sallë njerëzit vetëm nxjerrin gënjeshtra për popullin dhe bëjnë pazare. Ka 30 vjet që premtoni dhe nuk u jepni qytetarëve asgjë për të përmirësuar demokracinë, institucionet dhe jetën e tyre” tha Hajdari.

Me votimin e sotëm në parlament, duket se doli jashtë funksionit edhe Këshilli Politik, ku nuk ka mbetur më për të folur pothuajse asgjë.

Këshilli Politik u ngrit si një forum mes pozitës dhe opozitës në janar me synimin për ta kryer reformën zgjedhore deri në mars, afat që u shty deri në maj dhe me shtytjen e diplomatëve amerikanë dhe europianë mes palëve u arrit një marrëveshje më 5 qershor.

Opozita thotë se edhe kjo u shkatërrua me votimin e sotëm në parlament, i cili megjithatë vazhdoi procedurat për zgjedhjen e KQZ-së së re dhe administratës që pritet të menaxhojë zgjedhjet e 25 prillit, kur partitë e mëdha, kanë nisur fushatën zgjedhore, 9 muaj para zgjedhjeve, sapo presidenti dekretoi datën e mbajtjes së tyre.

Pas votimit sot në parlament të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, reagoi ambasada e SHBA-ve në Shqipëri.

Sot, partia qeverisëse ndaloi diskutimet në Këshillin Politik dhe votoi për të miratuar ndryshime domethënëse të rregullave, që do të qeverisin zgjedhjet e 25 prillit. Ishte brenda kompetencave të parlamentit për t’i miratuar këto ndryshime, të cilat janë shtesë, dhe jo shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit, por është për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik” - thuhet në deklaratën e SHBA-ve në Tiranë.

Në reagimin e ambasadës theksohet se “Shtetet e Bashkuara i kanë shtyrë udhëheqësit e Shqipërisë – brenda dhe jashtë parlamentit – për t’u angazhuar me njëri tjetrin në mënyrë transparente dhe përfshirëse për çështje me rëndësi kombëtare”.

Në të veçohet se ishte angazhimi pozitiv që prodhoi marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore.

“SHBA bëri të qartë që ajo marrëveshje duhet të respektohet dhe se çfarëdo masash shtesë duhen shqyrtuar dhe miratuar në mënyrë të ngjashme transparente dhe përfshirëse në Këshillin Politik” - deklaroi ambasada e SHBA-ve në Tiranë.

Selia diplomatike amerikane kujtoi se Shqipëria është anëtare e NATO-s, aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe Kryesuese e radhës e OSBE-së, ndaj është detyrë e udhëheqësve të Shqipërisë, duke filluar, por jo vetëm, nga ata në pushtet, për të kërkuar nga vetja një standard më të lartë dhe për të siguruar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme.

Me votimin e sotëm Shqipëria do të shkojë në zgjedhjet e 25 prillit të vitit te ardhshëm me kontestime, dhe nëse opozita nuk do të fitojë, edhe me mosnjohje të zgjedhjeve.

Si zakonisht vendi humbet një tjetër shans për të bërë një reformë të gjithë-pranuar dhe për të hedhur një hap përpara drejt Bashkimit Europian./h.e 

/argumentum.al

© Argumentum