Të ”çminohet” 30 Korriku, Kombet e ( Pa) Bashkuara, Shuplakë për Turqinë dhe ‘JO’ Zvicra Exit!

FLASH REALPOLITIK NR. 17     

17 - 30 SHTATOR 2020

EKSKLUZIVISHT për ARGUMENTUM “ shqip” dhe vetëm me 1.000 fjalë nga diplomati dhe analisti  i njohur  Dr. JORGJI KOTE

***

 1.Me të drejtë, Kryetari i Kuvendit vendosi shtyrjen e votimit të Kodit të Ri Zgjedhor nga 1 më 8 Tetor, për të mundësuar dialogun dhe konsensusin shumicë/opozitë. Kjo erdhi kryesisht pas trysnisë ultimative të SHBA-ve dhe BE-së të ditëve te fundit. Siç kemi nënvizuar dhe më parë, ndryshimet kushtetuese të njëanshme më 30 Korrik, të kundërshtuara  nga opozita e duke shpërfillur thirjet/paralajmërimet me gjuhë diplomatike të faktorit ndërkombëtar ishin “minë me sahat” me pasoja të pallogaritshme politike. Sepse, le ta themi troç: 30 Korriku minonte 14 Janarin, kur të gjitha palët nën hyqmin ndërkombëtar ranë dakord që çdo ndryshim zgjedhor ta bënin vetëm me konsensus mbarëpartiak; mbi të gjitha,  minohej Marrëveshja e 5 Qershorit, e përshëndetur dhe sponsorizuar  nga BE/SHBA në selinë e  kësaj të fundit në Tiranë. U minuan kështu dy marrëveshje me vulën ndërkombëtare dhe të OSBE-së, të cilën ironikisht e kryesojmë.

Ruçi hap seancën e parë plenare në Kuvend pas pushimeve, deputetët në këmbë për Himnin Kombëtar • Gazeta ReformaMë tej, u minua serioziteti dhe besueshmëria e shumicës parlamentare, si partner dhe firmëtar i dy marrëveshjeve jetike politike; komuniteti ndërkombëtar mund të falë e justifikojë vërtet këdo për gjithçka, por asnjëherë një parti politike në pushtet kur nuk respekton një marrëveshje konsensuale; veçanërisht për zgjedhje të lira e të ndershme, “ Thembra e Akilit” e demokracisë shqiptare. Konkretisht, minoheshin zgjedhjet e 25 Prillit 2021, kur Venecia, BE dhe OSBE-ja kanë “ bërtitur”  të mos bëhet asnjë ndryshim 12 muaj përpara tyre. Më e keqja, 30 Korriku minon plotësimin e dy nga 5 kushtet e para nominale për çeljen e negociatave, kur ka filluar numërimi mbrapsht. Ja pse,  “çminimi” i 30 Korrikut është DETYRIM Madhor politik për të ardhmen europiane të vendit.

2.Kombet e ( Pa) Bashkuara: 193 vendet antare kremtuan më 21 Shtator jubileun e 75-të të themelimit të OKB-së në momentet më të këqia të saj. Jo vetëm pandemia që nuk e lejoi të festonte e të mblidhej në Nju Jork si çdo vit, por dhe shumë ndarje, krisje, kriza dhe konflikte të shtuara kudo në botë. Aq sa mund ta quajmë “Kombet e (pa)Bashkuara. Multilaterizmi i 7 dekadave të fundit, si tema kryesore e sesionit të tanishëm virtual është vënë seriozisht në rrezik. Presidenti Trump  u kërkoi vendeve të tjera të përqafojnë parimin “ Amerika e para”; dmth njëanshmërinë kombëtare mbi interesat shumëpalëshe.

Celebrating 75 years of the United Nations - CGTN

Ka dhe vende të tjera  të mëdha që tentojnë të ndjekin këtë kurs, sidomos Brazili. Gjithsesi, ka ende shpresa kur dëgjon Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Guterres, Kancelaren Merkel, Presidentin Macron, Presidentin e Këshillit Europian Michel  e shumë të tjerë që kërkojnë më shumë multilaterizëm, sepse jemi një botë e vetme dhe çdo sfidë duhet ta kalojmë bashkë. Siç shprehet themeluesi i Forumit Botëror të Davos, Prof. Klaus Schwab, OKB-ja  ka vërtet nevojë për reformim, por mbi të gjitha për përmirësim të sistemit të saj. Ndërsa cënimi, dëmtimi e ca më keq çmontimi i marrëdhënieve shumëpalëshe nuk është alternativë; sepse, në vend të zgjidhë, i shton problemet dhe të këqiat planetare.

3.“Shuplakë” për Turqinë ishte vërtet krijimi më 22 Shtator i Forumit të Gazit të Mesdheut Lindor ( EMGF) me shtatë vende: Egjipti, Italia, Greqia, Izraeli, Qipro, Jordania dhe Autoriteti i Palestinës. Kjo Marrëveshje, e para midis vendeve arabe/europiane erdhi pas demarsheve diplomatike në dy vitet e fundit. EMGF synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve prodhuese, konsumatore dhe tranzite. Ai do të ndikojë në uljen e vartësisë së importit të gazit nga Rusia.

Menjëherë dhe Franca ka kërkuar aderimin në EMGF. Po ashtu, SHBA-të dhe BE-ja e kanë mbështetur Forumin hapur dhe pa rezerva. Edhe Turqia  ka të drejtë të aderojë në EMGF, por me kusht që të heqë dorë nga kërcënimet ushtarake dhe të kontribuojë në zgjidhjen e “ konfliktit të ngrirë” në Qipro, çka vështirë të ndodhë për momentin. Sidomos tani që është përfshirë ushtarakisht dhe në konfliktin  azero - armen. Pengesë tjetër është mbështetja e saj për  “Vëllazëria Myslimane” në Egjipt. EMGF shënon dhe një sukses të ri diplomatik të fqinjes sonë, Greqisë.

4.“ JO” Zvicra Exit! Në Referendumin e 27 Shtatorit mbi daljen nga zona Schengen dhe tregtia e lirë me BE-në “ exitasit” zviceranë pësuan disfatë të rëndë me vetëm 38 për qind të votave. Ndërsa 62 për qind e votuesve thanë “Jo”. Ndonëse nuk është antare e BE-së, për shkak të politikës së asnjanjësisë, pas vitit 1992 Zvicra është bërë  pjesë e Hapësirës Schengen dhe e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë.

Over 60% of Swiss Voters Reject Proposal to End EU Freedom of Movement - SchengenVisaInfo.com

Ndër shkaqet kryesore të këtij dështimi është se nismëtarja e Referendumit,  Partia Popullore Zvicerane ( SFP) nuk bindi dot shumicën dërmuese të zviceranëve mbi humbjet e sidomos përfitimet përkatëse. Kjo nuk është “llaf goje”, mbasi  Zvicra ka 60 për qind të eksporteve me BE-në; tregtia e saj me Gjermaninë është më e madhe se me Kinën dhe SHBA-të së bashku! Humbje të pakompensueshme do të pësonin gjysëm milion zviceranë që banojnë, punojnë dhe studiojnë në vendet e BE-së dhe mbi 1,4 milionë europianë që punojnë në Zvicër. Për fatin e keq të populistëve, edhe shifrat e azilit prej nga mori spunto ky Referendum kanë rënë ndjeshëm e nuk trembin si më parë.

Padyshim ky është lajm shumë i mirë për  BE-në, që veç të tjerash forcon pozitat në negociatat përfundimtare me Londrën për Brexit. Jo-ja zvicerane është tejet dekurajuese për vendet që mendojnë për “ exit” nga BE-ja; ca më tepër kur shohin Britaninë që “po heq të zitë e ullirit” në “ dalje”; po aq inkurajues është JO-ja zvicerane ndaj “ Exit “ dhe për vendet e tjera që duan të hyjnë dhe të qëndrojnë në BE, përfshirë dhe Ballkanin Perendimor. Duket qartë se  po fiton gjithnjë e më shumë terren ideja se pavarësisht sfidave dhe problemeve, BE-ja mbetet alternativa më e mirë dhe më e besueshme. COVID - 19 është dëshmia më e freskët  bindëse për këtë realitet “ kokëfortë” europianist.

/argumentum.al

© Argumentum