Turqia tronditet nga një tërmet 6,6 ballë, rrënohen gjashtë ndërtesa

Një tërmet me magnitudë 6,6 ballë ka tronditur brigjet e rajonit Seferihisar në qytetin Izmir të Turqisë.

Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) tha se tërmeti ndodhi në orën 14:51 sipas kohës lokale në një thellësi prej 16.54 kilometra

Sekretari i përgjithshëm i Komunës Metropolitane të Izmirit, Buğra Gökçe, për kanalin e lajmeve NTV tha se disa shtëpi në qytet janë shkatërruar nga dridhja.

Guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya, tha se tërmeti u ndje edhe në Stamboll, por nuk u raportuan "negativitete".

Ministri turk i Punëve të Brendshme, Süleyman Soylu, njoftoi se gjashtë ndërtesa në provincëne Izmirit janë raportuar se janë rrënuar nga tërmeti.

"Përveç çarjeve të vogla në ndërtesa në qytetet Uşak, Denizli, Manisa, Balıkesir, Aydın dhe Muğla, nuk është raportuar për viktima", njoftoi Soylu nga rrjeti social Twitter.

Ministri turk i Mjedisit, Murat Kurum, tha se disa persona janë bllokuar nën rrënojat e pesë ndërtesave të shembura në Izmir. Ai njoftoi se është nisur për në rajonin e prekur nga tërmeti, së bashku me ministrin turk të Bujqësisë dhe Pylltarisë, Bekir Pakdemirli.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan publikoi një mesazh solidarizimi për qytetarët, duke u uruar të shkuara të gjithë qytetarëve që u prekën nga tërmeti.

"Ne qëndrojmë pranë qytetarëve tanë që u prekën nga tërmeti me të gjitha mjetet e shtetit tonë. U mobilizuam me të gjitha institucionet tona përkatëse dhe ministrat tanë për të filluar punën e nevojshme në rajon", tha Erdoğan.

Po ashtu edhe në palën greke është dëgjuar tërmeti që tronditi qytetin e Izmirit.  Observatori tha se tërmeti tronditi ishullin veriperëndimor grek Samos në Detin Egje./AA