Unaza e Madhe / Nga sot kufizohet hyrja në Tiranë nga Dogana: Do ketë korsi emergjence, policia thirrje të përdoret Elbasani dhe rruga e vjetër e Ndroqit

Rebani Jaupaj, Drejtori i Policisë së Tiranës, ka njoftuar në lidhje me planin për menaxhimin e trafikut për të shmangur dyndjen drejt rrethrrotullimit të Unazës së Re në fazën e tretë të punimeve.

Jaupaj tha se do të lihet një korsi emergjence duke qenë se për shkak të situatës së COVID-19, urgjencat mjekësore do të jenë më të shpeshta dhe pjesë e këtij plani do të jetë udhëzimi i drejtuesve të automjeteve që vijnë nga Durrësi për të përdorur rrugën e Ndroqit, si dhe nga Rrogozhina drejt rrugës së Elbasanit.

Nga ana tjetër, Ministrja e Energjisë Belinda Balluku tha këto punime do të zgjasin 4 muaj, ndërsa u shpreh se nga nesër do të nisë puna edhe për prishjen e banesave për ndërtimin e lotit të tretë.

“Ne do të bëjmë ndryshim të planit të veprimit të policisë. Do të shkojmë forcat e policisë. Bashkia do na vijë në ndihmë me korsinë e emergjencës. Do mbajmë një korsi emergjencash ndërsa pjesën tjetër do ta menaxhojmë në tre korsi hyrjen në Tiranë. Do të menaxhojmë këtë trafik dhe kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve. Rruga e Elbasanit do të na ndihmojë. I bëj thirrje drejtueseve të mjeteve që e kanë të domosdoshme të vijnë në Tiranë të gjejnë rrugë alternative.

Mund të aksesohet edhe rruga e Ndroqit. Qytetarët të eliminojnë lëvizjet e pa domosdoshme nga dogana. Të përdoret edhe rruga nga Rrogozhina deri në Elbasan për të ardhur nga Rruga e Elbasanit. Nesër fillon prishja e godinave të shpronësuara për t’i hapur rrugë rrugës së Treshit. Do krijohet rrethrrotullimi në zonën e Astirit”, tha Jaupaj.