Zais dhe Jovanovic: Marrëveshjet ekonomike Kosovë – Serbi nuk zëvendësojnë bisedimet politike në Bruksel

Zyrtarë të lartë të administratës amerikane qëndruan për dy ditë në Kosovë, në një vizitë që kishte për qëllim zbatimin e marrëveshjes për normalizimin ekonomik Kosovë-Serbi, që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator.

Delegacioni u përqendrua në fillimin e studimit të fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit dhe krijimin e lidhjeve më të mira në tregun e energjisë në Ballkanin Perëndimor.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zëvendës-ndihmësi kryesor i Sekretarit për Energji të Shteteve të Bashkuara, Matthew Zais, dhe drejtori menaxhues i zyrës rajonale të Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar, John Jovanoviç, thanë se zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është përparësi e administratës amerikane.

“Absolutisht, dhe kjo është një nga arsyet përse jemi këtu. Jemi këtu për dy qëllime: një është që të fillojmë studimin e fizibilitetit për liqenin dhe, e dyta, është që të punojmë me Kosovën dhe fqinjët e saj në rajon, se si të krijohen lidhje më të mira në tregun e energjisë, qoftë elektrike apo të gazit natyror. Dhe, ka një mori mundësish. Ne kemi strategji për gazin natyror për Ballkanin. Dhe, nuk ka rrugë tjetër për Kosovën përveç mundësive të saj që të jetë e lidhur me fqinjët dhe kjo do ta ndihmojë ekonominë e Kosovës...".

"Kur isha këtu herën e kaluar, fluturova nga Athina, ku u takuam me kryeministrin dhe ministrin e Energjisë atje dhe diskutuam rritjen e lidhjeve të tyre më fqinjët, edhe në kontekstin e lidhjes së vendeve si Kosova, në rrjetin e gazit në këtë rajon. Dhe, kjo është një nga arsyet përse jemi këtu”, tha zoti Zais.

Zoti Zais tha se arsyeja tjetër e vizitës së tyre ka të bëjë edhe me mbledhjen e informatave dhe vlerësimeve teknike për Liqenin e Ujmanit.

”Dhe në parim, për të kuptuar mundësitë dhe përfitimet që mund t'i ketë Kosova nga shfrytëzimi i liqenit dhe tërë ajo që ofron liqeni, qoftë kjo energjia elektrike apo uji. Jemi këtu në kapacitet teknik dhe kjo është përcaktuar me marrëveshjen ekonomike në Shtëpinë e Bardhë. Dhe, sërish, ky është përkushtim. Kur isha herën e fundit, paraqita një letër nga sekretari i Energjisë, sekretari Dan Brouillette, në të cilën përfshihej ky përkushtim për studimin e fizibilitetit dhe tri javë më vonë ja ku jemi, duke e zbatuar atë”, tha ai.

Marre me shkurtime  Zëri i Amerikës.