Zv/Ambasadori rus Andrej Shugurov: Nuk ka rëndësi nëse vaksina është: “perëndimore” apo “lindore”, rëndësi ka të jetë efektive.

Cilat janë perspektivat e përfundimit të pandemisë së koronavirusit, si është situata në Rusi, si po kalon faza e fundit të testimit të vaksinave ruse dhe a ka patur kërkesë për vaksinat nga autoritetet shqiptare - të gjitha këtyre pyetjeve të parashtruara nga ju, lexuesit tanë, iu përgjigj Ngarkuari i Përkohshëm i Rusisë në Shqipëri z. Andrej Shugurov në intervistën për Fax News.

"Njerëzimi po përballet me një fatkeqësi të përbashkët dhe nuk mund të flitet për ndonjë përparësi politike në kapërcimin e tij. Rusia niset nga domosdoshmëria për një bashkëpunim shumë të ngushtë midis rretheve shkencore të vendeve të ndryshme me qëllim përpunimin, testimin dhe shpërndarjen e çdo vaksine efektive kundër koronavirusit.

Me sa di unë, aktualisht në botë janë duke u zhvilluar rreth 40 vaksina të ndryshme. Në Rusi, 17 institucione shkencore po punojnë për prodhimin e tyre, 28 variante të ndryshme vaksinash janë në zhvillim e sipër. Dy vaksina, “Sputnik-5” dhe vaksina e qendrës “Vektor” “EpiVacCorona” tashmë kanë hyrë në fazën e tretë, e cila është faza e fundit e testimit.

Sa më shumë vaksina të kemi, aq më e madhe është mundësia për mjekët tanë të zgjedhin këtë apo atë vaksinë në varësi të gjendjes së shëndetit të pacientit. Për këtë arsye, për ne në Rusi nuk ka absolutisht rëndësi se çfarë vaksine është: “perëndimore” apo “lindore”. Gjithashtu, në regjim testimi është edhe vaksina kineze. Pra, nuk ka rëndësi se cili vend e ka prodhuar atë. Rëndësi ka të jetë efektive."

"Interesi për vaksinën e parë ruse është mjaft i fortë. Tashmë kemi marrë disa kërkesa për rreth 1 miliard e 200 milionë doza. Dua të drejtoj vëmendjen tuaj te fakti se ekzistojnë disa procedura specifike për blerjen e vaksinës. Nëse një shtet shfaq interes për një vaksinë, para së gjithash, ai duhet të bindet se kjo e fundit është efektive dhe e sigurtë. Rrjedhimisht, etapa e parë është testimi. Kjo pasohet nga marrja e patentës për përdorimin e vaksinës. Faza e tretë nuk konsiston vetëm në furnizimin me këtë produkt mjekësor nga Rusia, por në krijimin e mundësisë për prodhimin e kësaj vaksine në vendin në fjalë dhe dhënia këtij të fundit të së drejtës për të transportuar vaksinën në vendet e tjera.

Shqipëria nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë. Kam vënë re se në vend ka patur dy reagime: nga mjekë profesionistë dhe nga shkencëtarë virusologë. Sipas tyre, vaksina ruse është prodhuar në bazë të metodave e teknologjive të njohura mirë dhe nuk duhet të paraqesë asnjë rrezik. Ky është një nga mendimet. Ka patur edhe një reagim tjetër nga disa anëtarë të Këshillit të Ekspertëve, sipas të cilit, zgjedhja e Shqipërisë është të presë për një “vaksinë të sigurtë perëndimore”. Për sa i përket interesimit të qytetarëve, në adresë të Ambasadës ka patur shumë kërkesa për të shpëndarë disi këtë vaksinë mbi baza individuale. Për sa kohë vaksina nuk është çertifikuar për përdorim zyrtar në këtë vend, ne nuk mund ta sjellim atë. Rusia është e gatshme për bashkëpunim me çdo vend, përfshirë Shqipërinë, nëse ka një interes të tillë nga këta të fundit."

Vijon me tej  zëvendësambasadorit rus Andrej Shugurov në këtë interviste  për kanalin Fax News