1970-2020: Lidhja Kino-Italiane si Shëmbull Bashkëpunimi

Nga Genc Mlloja

Veç simbolikës së etikës protokollare përkujtime të ngjarjeve të tilla historike sikurse është 50- vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Italisë janë raste që krijojnë mundësi për qarqet politike, intelektuale dhe veçanërisht për opinionin publik të analizojnë rrugëtimin e lidhjeve dypalëshe në të gjitha fushat si dhe çfarë është më e rëndësishmja të shpalosin projeksionet dhe vizionet për të ardhmen e bashkëpunimit në të gjitha fushat. Është detyrim i lidershipit politik që popujt e vendeve respektive të jenë në dijeni për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e marrëdhënieve me vende apo aleanca si dhe përfitimet nga një bashkëpunim i tillë. Kjo është bërë më imperative veçanërisht tani kur kriza e gjithanshme e shkaktuar nga pandemia e virusit COVID-19 vazhdon të godas ashpër dhe po kërcënon frikshëm jetën e njerëzve ndërsa nëntori ka nisur me fatalitete në rritje në shumë vende, përfshi Europën.
Kina dhe Italia i vendosën marrëdhëniet diplomatike më 6 nëntor 1970, dhe sot ne vitin 2020 konteksti i marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve ka ndryshuar në mënyrë dramatike; vendosja e partneritetit të gjithanshëm strategjik (comprehensive strategic partnership) më 2004 mbetet pikë kulmore në marrëdhëniet kino-italiane.

Matarela: Miqësia Itali-Kinë do të jetojë përgjithmonë

Është kuptimplotë çfarë vuri në dukje President Xi Jinping në bisedën telefonike me Presidentin Italian Sergio Mattarella me 4 nëntor 2020 në vigjilje të këtij përvjetori kur tha se gjatë gjysmë shekulli të kaluar Kina dhe Italia e kanë respektuar dhe i kanë besuar njëri-tjetrit, kanë patur përfitimet e tyre reciproke, si dhe kanë ndihmuar dhe mësuar nga njëri-tjetri. Të dy palët kanë ndërtuar një partneritet të përgjithshëm strategjik nga i cili kanë përfituar të dy popujt dhe kanë dhënë një shëmbull për vendet me sisteme dhe sfonde të ndryshme kulturore të zhvillojnë marrëdhëniet dypalëshe, tha ai.

Përballë pandemisë së papritur COVID-19, popujt kinez dhe italian kanë bashkuar forcat në luftën kundër pandemisë duke u bërë shëmbull për komunitetin ndërkombëtar për kapërcimin e vështirësive së bashku, tha Xi. Të dy palët, vazhdoi ai, duhet të analizojnë të kaluarën, të shikojnë përpara dhe mbi bazën e të kaluarës të nxisin zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve kino-italiane në erën e re.

Duke iu referuar sesionit të 5-të plenar të Komitetit Qëndror të 19-të të Partisë Komuniste të Kinës Xi vuri në dukje se u miratuan propozimet e Komitetit Qëndror të PKK-së për formulimin e planit të 14-të pesëvjecar (2021-2025) për Zhvillimin Ekonomik dhe Shoqëror Kombëtar dhe Objektivat Afatgjata deri në Vitin 2035. Sipas Xi, Kina do t'i përmbahet një filozofie të re zhvillimi, do të ndërtojë një model të ri zhvillimi, do të nxisë zhvillimin e cilësisë së lartë dhe do të çojë përpara reformën dhe hapjen në një pikë më të lartë. Xi theksoi se Kina mirëpret pjesëmarrjen e vendeve të ndryshme, përfshirë Italinë, në zhvillimin dhe ndërtimin e saj në interes të ndërsjelltë dhe me rezultate të përfitimit reciprok.

Presidenti kinez shprehu gjithashtu mbështetjen për reagimin e Italisë kundër pandemisë së COVID-19 e mbështetur në kushtet e saj kombëtare, duke shtuar se Kina është e gatshme të vazhdojë të ofrojë ndihmë për palën italiane, si dhe së bashku të mbështesin rolin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të ndërtojnë një komunitet të shëndetit të përbashkët për njerëzimin.

Që në krye të bisedës Presidenti i Italisë Sergio Mattarella vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe duke sjellur në vëmëndje miqësinë tradicionale midis dy vendeve e cila ka një histori të gjatë. Mattarella shprehu vullnetin e vendit të vet për të zgjeruar bashkëpunimin dhe për të promovuar shkëmbimet kulturore dhe njerëzore me Kinën. Ai theksoi se Italia është e gatshme të përkrah e të marrë pjesë në zhvillimin e marrëdhënieve kino-europiane, si edhe të bashkëpunojë me Kinën lidhur me qeverisjen globale, duke dhënë kontribut të përbashkët për paqen globale. Ai vuri në dukje se pala italiane ndjehet krenare për marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve. “Miqësia Itali-Kinë u ka bërë ballë sprovave dhe do të jetojë përgjithmonë”.

Nga ana tjetër kreu i shtetit italian bëri thirrje për multilateralizëm, mbështetje të bashkëpunimit ndërkombëtar, organizatave dhe iniciative ndërkombëtare, dhe u shpreh se zhvillimi i Kinës do të krijojë mundësi tepër të mëdha për bashkëpunimin Europë-Kinë, dhe Italia dëshiron të mbështesë dhe të marrë pjesë aktivisht në zhvillimin e këtyre marrëdhënive. Mattarela u shpreh se vleresonte miqësinë me Presidentin Xi dhe priste të vizitonte Kinën sa më shpejt të jetë e mundur pas pandemisë.

Edhe dy kryeministrat e Kinës dhe Italisë Li Keqiang dhe Giuseppe Conte respektivisht shkëmbyen mesazhe urimi më rastin e 50 - vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, duke vlerësuar arritjet në përpjekje për të gjetur rrugë të reja të bashkëpunimit të gjithanshëm në bazë të partneritetit strategjik.

“Lufta e përbashkët Itali-Kinë kundër COVID-19 është bërë një shëmbull i lidhjes së fortë midis dy popujve dhe qeverive”, tha kryeministri Italian Conte në mesazhin dërguar kryeministrit kinez Li Keqiang

Aleati në nevojë’

Gadishmëria e Kinës për të ndihmuar Italinë në kulmin e krizës së pandemisë në pranverë të këtij viti e ka rritur simpatinë ndaj saj në opinionin e gjërë publik italian. Kur Italia, veçanërisht zonat veriore të saj, po përjetonin një gjëndje tragjike, pothuajse të gjithë vendet anëtare të BE-së po shikonin ‘brënda gardhit’ të tyre dhe ajo pësoi një zhgënjim të gjërë publik për ‘solidaritetin e munguar’ të aleatëve ndaj saj si një ndër themelueset e këtij Unioni. Populli italian e ndjeu veten të braktisur përballë refuzimit të kërkesës dëshpëruese të qeverisë italiane për pajisje mjekësore bërë vendeve europiane dhe zyrtare të lartë të BE-së i kanë kërkuar falje asaj duke kuptuar se zhgënjimi italian i braktisjes nga aleatët ka lënë gjurmë të thella.

Kësisoj ndihma e Kinës në ato kohra të rënda, kur edhe ajo vetë po luftonte kundër pandemisë me të gjitha forcat, e ka shndërruar imazhin e saj nga një partner në një ‘aleat në kohë nevoje’ në Itali. Në mes të muajit mars kur pandemia kishte dalë jashtë kontrolli me qindra viktima në ditë në një vend në izolim të plotë Kina dërgoi në Itali më shumë se 31 ton pajisje mjekësore ndërsa specialistë të mjekësisë u dërguan atje për të ndihmuar më përvojën e tyre në frenimin e coronavirusit.

Kështu një sondazh i SWG i bërë nga 20 mars deri më 12 prill këtë vit dëshmon se popullariteti i Kinës në opinionin publik italian është rritur konsiderueshëm në vitin e fundit. Studim i SWG me seli në Trieste i citur nga portali formiche.net (21.04.2020) tregon se midis vendeve të konsideruara "miq" nga opinioni publik italian Kina dallon me 52 përqind të votave, e ndjekur në vendin e dytë nga Rusia me 32 përqind dhe SHBA me 17 përqind. Nga ‘Rruga e Mëndafshit’ deri në COVID-19, Pekini ka bërë rrugën e tij për në Itali, shkruante ky portal. Një vit më parë, në mars 2019, Italia u bë vendi i parë i G-7, grupim i vendeve që konsiderohen më të industrializuarat në botë, që nënshkroi një memorandum me Kinën duke iu bashkuar iniciativës ‘Një Brez, Një Rrugë’ të njohur si ‘Rruga e Mëndafshit’.

Me tren nga Xinzhu në Milano…

Pjesë e rëndësishme e projektit ‘Një Brez, Një Rrugë’ është rrjeti hekurudhor dhe është kuptimplotë për përparimin që ka bërë ky projekt i nisur në vitin 2013 me iniciativën e Presidentit Xi një moment i fiksuar në një foto të agjencisë Xinhua me diciturë: “T

me 45 vagona me material anti-epidemi niset nga Stacioni Hekurudhor Xinzhu në Xi'an, provinca veriperëndimore Shaanxi e Kinës, më 12 gusht 2020 me destinacion Milanon në Itali”.

Kur është hedhur idea e vendosjes së transportit hekurudhor midis Kinës dhe Europës shume vite më parë pak kush në kontinentin e ‘vjetër’ kishin besim në realizimin e një ndërmarrje të tillë. Të them të drejtën edhe për ne shqiptarët Kina dukej larg, shumë larg gjeografikisht, dhe brezi i viteve 60-të mban mend që një anijeje transporti transoqeanike i duheshin gati tre muaj për të bërë rrugën Shqipëri-Kinë dhe kthim. Linjat e pakta ajrore ishin transporti më i shpejtë, por me kosto të lartë dhe në atë kohë pak i disponueshëm. Prandaj nuk është për tu habitur që për shumë njerëz të brezit të atyre viteve mbërritja e trenit të parë nga Kina e ‘largët’ në kontinentin europian ka bërë histori. Në parantezë ne akoma kujtojmë trenat që na solli Kina në fillim të viteve 1970, të cilët na dukeshin mrekulli e vërtetë, dhe ata mund të kujtohen me nostalgji kur sistemi hekurudhor në Shqipëri është tani pothuajse inekzistent./CRI