76-vjetori i çlirimit të Durrësit/ Presidenti Meta: Mirënjohje përjetë Heroit të Rezistencës Antifashiste, Mujo Ulqinaku

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka përkujtuar 76-vjetorin e çlirimit të Durrësit.

Sot përkujtojmë me krenari, 76-vjetorin e Çlirimit të Durrësit tonë të dashur, që i dha Luftës Antifashiste Nacionaçlirimtare dhe Atdheut, shumë Dëshmorë dhe Heronj.

I pari qytet i sulmuar nga bisha nazi-fashiste në 7 prill 1939, Durrësi reagoi që në sekondat e para, i gatshëm për të sakrifikuar bijat e bijtë më të mirë në mbrojtje të Lirisë, Pavarësisë dhe Sovranitetit të Shqipërisë.

Mirënjohje përjetë Heroit të Rezistencës Antifashiste, Mujo Ulqinaku dhe të gjithë patriotëve të tjerë, të cilët luftuan krah për krah njëri-tjetrit, për të përmbushur me nder betimin para Flamurit Kombëtar, duke e larë atë me gjakun e tyre të paharruar.

Sot është dita për të kujtuar me respekt edhe Nako Spiron, udhëheqësin kryesor të Rinisë Antifashiste pas rënies heroike të Qemal Stafës, për rolin e veçantë frymëzues që luajti, si një prej drejtuesve më të shquar të LANÇ-it, për organizimin e Rezistencës në Durrës dhe në mbarë Shqipërinë.

Përjetë do nderojmë kontributin e familjeve më të mira dhe patriotike të Durrësit, që dhanë gjithçka të shtrenjtë kishin për t’ju përgjigjur flakë për flakë pabesisë së pushtuesve, duke i dëshmuar Europës dhe mbarë botës se Shqipëria, edhe pse e braktisur dhe e harruar, nisi me vetëmohim, trimëri e atdhedashuri të pashoq rezistencën ndaj fuqive më të mëdha të kohës.

E paharruar vepra e jeta e Dëshmorëve dhe Heronjve të Durrësit dhe sakrificat e familjeve patriotike të këtij qyteti, që përherë ka qenë në vijën e parë të zjarrit, lokomotivë, jo vetëm për mbrojtjen e interesave dhe dinjitetit kombëtar, por edhe e fitores mbi çdo rrezik që kërcënon liritë dhe demokracinë e vendit dhe së ardhmes tonë europiane,shkruan kreu i shtetit në një postim në Facebook.