Akuzat e Bashës për fshehje të vdekjeve nga COVID/, reagojnë mjekët: Deklaratë monstruoze, ftojmë prokurorinë...

Mjekët e Spitalit Infektiv përmes një video mesazhi kanë reaguar ndaj deklaratës së kreut të PD, Lulzim Basha se shifrat e viktimave nga COVID janë manipuluar qëllimisht, duke e cilësuar këtë  një deklaratë dashakeqe dhe në mungesë të plotë të humanizmit nisur nga koha që po jetojmë.

Në deklaratën e shpërndarë për mediat, shefja e Infektivit, Najada Çomo shprehet se nëse të tilla akuza përsëriten, do të merren masa duke thirrur prokurorinë që të hetojë kartelat e personave  që kanë ndërruar jetë.

“Nuk është kurrsesi e vërtetë që janë fshehur vdekjet nga COVID, kjo është praktikisht dhe teorikisht e pamundur. Kartela që përcjell të vdekurin në morg është e vulosur nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit dhe ka konstatuar edhe vdekjen.

Deklarata:

Shprehim publikisht habinë për deklaratën e Bashës dje në një emision televiziv. Goditje e akuza të përpjekjeve tona gjithë këto muaj. Përballë akuzash të tilla e shohim të domosdoshme të informojmë publikun se, nuk është kurrësesi e vërtetë që janë fshehur vdekje nga Covid, është praktikisht e pamundur, pasi çdo pacient që ndërron jetë përcillet për në morg bashkë me kartelën shoqëruese që përmban dhe arsyen e vdekjes, e cila është firmosur dhe vulosur me përgjegjësi profesionale dhe ligjore nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit.

Shkakun e vdekjes së një personi nuk e përcaktojnë dot politikanët, përveç mjekut përkatës.

Kartelin e të ndjerit nuk e dyshojnë dot deklaratat bombastike që vënë në pikëpyetje humanizmin e autorit të tyre. Askush nuk mund ta ndryshojë dot shkakun e vdekjes dhe jo më pastaj një ekip i tërë mjekësh të akuzohet si i përfshirë në një monstruozitet me deklaratat e tilla.

Bëj me dije se nëse akuza përsëritet ne do ftojmë organet kompetente të hetojnë dhe bëjnë verifikimin e çdo kartele mjekësore. Nuk do ta lejojmë këtë pa një ballafaqim qoftë ligjor apo miqësor. Duhet t’i jepet fund praktikës politike të lojës me vdekjen që ka sjellë jo pak telashe në 30 vjet në jetën e bluzave të bardha.

Kjo dalje jashtë shinave të së vërtetës në një kohë si kjo janë tejet të rrezikshme, deklaratat e figurave politike në këtë kohë duhet të jenë krejt të kundërta.

Lidhur me akuzat e kryetarit të opozitës, Lulzim Basha për manipulim të numrit të të vdekurve me COVID-19, burime nga SPAK bëjnë me dije se nuk është kompetencë e këtij institucioni.