Akuzat ndaj Bashës/ Rama: Nuk jam unë që e akuzoj Lulëzim Bashën! Por vetë heshtja e tij e gjatë,

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish, duke deklaruar se nuk është ai që akuzon Lulzim Bashën për hetimet ndaj UÇK, por është heshtja e kryedemokratit, shmangia nga ballafaqimi, sharjet në vend të shpjegimeve, që e kanë kthyer Lulëzimin në të akuzuar!

Kryeministri përmes një reagimi në Facebook, shprehet se ka një rol si kryeministër dhe si qytetar: të kërkojë nga Lulzim Basha ti sqarojë publikut kush është ai në këtë mes dhe pse i kërkojnë atij dëshmitarët hesap

“Nuk jam unë që e akuzoj Lulëzim Bashën! Vetë heshtja e tij e gjatë, shmangia nga ballafaqimi me pretendimet e palëve të tjera, sharjet në vend të shpjegimeve dhe mosshpjegimet e tij tipike për dikë që fshihet, përballë fakteve dhe dëshmive nga organizata e individë krejt të besueshëm, e kanë kthyer Lulëzimin në një të akuzuar, që sa më shumë i bën bisht përballjes me akuzat e disa dëshmitarëve në Kosovë, të cilët as i njoh e as i kam takuar kurrë, aq më i dyshimtë duket në sytë e publikut!

Në këtë mes unë kam vetëm një rol, atë që më takon: T’i kërkoj Lulëzim Bashës t’i sqarojë publikut se kush është ai në këtë mes dhe pse i’a kërkojnë atij dëshmitarët hesapin e nuk i’a kërkojnë dikujt tjetër?! Dhe pse sipas tij, partia që ai drejton, dje në qeveri e votoi pro rezolutën e Këshillit të Europës, ngritur mbi raportin famëkeq të Dick Marty, të cilin Partia Socialiste, e votoi kundër?!

Ai duhet të përgjigjet, sepse Lulëzimi nuk është dokushdo dhe këtu nuk flitet as për jetën private, as për punën private, po për një çështje sa publike e deri edhe me interes kombëtar, aq edhe karakteriale për drejtuesin e opozitës, i cili synon të bëhet i pari i shtëpisë sonë të përbashkët. Bishtnimi në këtë rast amplifikon akuzat!”, shkruan kryeministri krah një videoje.

 

 

Lulzim Basha është akuzuar nga Melaim Bellanica, kameramani që filmoi masakrën e Krushës, se ka fshehur kasetën me 40 minuta filmime.