Albin Kurti: Specialja është e padrejtë dhe e njëanshme në raport me UÇK-në.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur për herë të parë rreth aktakuzave të fundit dhe arrestimeve që ka kryer Gjykata Speciale në Kosovë.

Në një konferencë për mediat, Kurti tha se janë për keqardhje pretendimet e Speciales se gjoja UÇK-ja paska qenë strukturë kriminale.

Sipas tij, Specialja është e padrejtë dhe e njëanshme në raport me UÇK-në.

“Prokuroria e ka gabim. Nuk ka pasur strukturë të tillë paralele kriminale. UÇK kishte Shtabin e Përgjithshëm edhe drejtoritë përkatëse, Zyrën e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik, Adem Demaçi, zonat operative, brigadat e të tjera. E jo aty tash një strukturë paralele siç pretendon Prokuroria.

Po të thuhej që ndokush prej tyre ka pasur për qëllim kontrollin në mars të 2008 apo në mars të 2018 edhe mund të besohet, por kurrsesi në mars të vitit 1998. Çlirimi ishte qëllimi dhe jo fitimi dhe ushtrimi i kontrollit", u shpreh ai.

Tashmë janë të arrestuar  Hashim Thaçi, Kadri Vesli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Sipas aktakuzës, veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe krime kundër njerëzimit,  të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Gjatë seancave të para në Hagë, Veseli, Thaçi, Selimi dhe Krasniqi kanë mohuar të gjitha akuzat.