Basha dhe Rama përplasen sërish/ Fokus, menaxhimi i Pandemisë Covid-19

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka publikuar mëngjesin e sotëm një video në Facebook, ku flasin disa familjarë të pacientëve të infektuar që po marrin mjekim në spitale.

Familjarët shprehen se pacientët po presin nëpër ambulanca para se të marrin mjekim në spital. Ka edhe nga ata që thonë se familjarët do i nisin për mjekim jashtë shtetit, pasi në spitalet e vendit nuk po u japin garanci.

Ndërkohë kryedemokrati e akuzon kryeministrin Edi Rama se ka humbur të gjithë kontrollin ndaj pandemisë dhe po shkatërron jetët dhe shëndetin e familjeve shqiptare.

“Ja çfarë thonë familjarët e të sëmurëve. Faktet flasin vetë dhe tregojnë të vërtetën ashtu siç është. Pasi shkatërroi ekonominë, Rama e humbi kontrollin ndaj pandemisë dhe po shkatërron jetët dhe shëndetin e familjeve shqiptare.”, shprehet kryedemokrati.

Nuk ka munguar edhe një reagim i menjëhershëm nga Rama, i cili thekson se opozita aktuale nuk i duhet as dreqit e jo më popullit shqiptar.

“Një opozitë që as në një sëmundje që bie një herë në shekull nuk gjen dot forcë të bëhet bashkë me shumicën nuk i duhet as dreqit e jo më popullit shqiptar”, shkruan Rama në  një  postim në Twitter.

 

​Por, Basha i është përgjigjur sërish kryeministrit. Shefi i opozitës nëpërmjet një postimi në Twitter thekson se shëndetësia është në kolaps dhe se Rama bën vetëm propagandë.

“Rama je një dështim i madh. Sa shqiptarë duhet të vdesin që të ndalësh sulmet politike dhe përpjekjet për të na mbyllur gojën? Po të më kishe dëgjuar që para 6 muajsh, do t'ju kishe dhënë ndihmë financiare familjeve shqiptare dhe sot do të kishe një plan real kundër pandemisë.

Askush nuk e përtyp propagandën tënde fallso. Shëndetësia është në kolaps, të sëmurët nuk kanë para për të blerë barnat e shtrenjtuara dhe ekonomia është në krizë.

Ne do ta shërojmë Shqipërinë, do t'i korrigjojmë dështimet e tua dhe do të sjellim shpresë të re për njerëzit.

Askush nuk e përtyp propagandën tënde fallco. Shëndetësia është në kolaps, të sëmurët nuk kanë para për të blerë barnat e shtrenjtuara dhe ekonomia është në krizë. Ne do ta shërojmë Shqipërinë, do ti korrigjojmë dështimet e Ramës dhe do të sjellim shpresë të re për njerëzit.”, shkruan Basha.