Cakaj takon Çavuşoğlu/ Turqia mbështet Shqipërinë për kandidaturën në Këshillin e Sigurimit

Gjatë qëndrimit të tij në Antalia, ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu.

Biseda e ministrave u fokusua tek bashkëpunimi në rrafshin dypalësh, gjendja politike në Ballkanin Perëndimor dhe ndërveprimi në organizata ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në.

“Një takim jashtëzakonisht miqësor e skajshmërisht përmbajtësor me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu. Biseduam hollësisht për bashkëpunimin në rrafshin dypalësh, gjendjen politike në Ballkanin Perëndimor dhe ndërveprimin në organizata ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në”, tha Cakaj.

“Falënderues për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Shqipërisë, veçanërisht edhe për kandidaturën tonë në Këshillin e Sigurimit 2022-2023”, shprehu mirënjohjen e tij ndaj Turqisë kryediplomati Cakaj, në një reagim lidhur me takimin e zhvilluar.