Çfarë po ndodh në Etiopi?

Ekskluzivisht për "ARGUMENTUM"

Nga Ali HOXHA*

E gjithë bota aktualisht i ka të kthyera sytë kah zhvillimet në Etiopi. Banorët në veri të Etiopisë janë duke braktisur shtëpitë e tyre për t’i ikur asaj çka po raportohet nga organizatat humanitare si dhunë dhe vrasje mbi popullatën civile. Sipas një raporti të Amnesty International është ushtruar maskër mbi një numër të madh njerëzish në veri të vendit. Autorët e kësaj masakre ende nuk janë të verifikuar, mirëpo sipas disa dëshmive thuhet se masakra është ushtruar nga forcat paramilitare të Tigrisë. Dhe meqë turbullirat e shkaktuara nuk janë të mjaftueshme për të portretizuar tmerrin që po ndodh në Tigiri të Etiopisë, palët e përfshira duken se janë larg së gjeturi një gjuhë të përbashkët. Qeveria e etiopisë është duke raportuar se po lufton me sukses forcat paramilitare të drejtuara nga Fronti Liberal i Popullit të Tigrisë që luajnë një rol të rëndësishëm në historinë politike të vendit.

Për ta kuptuar më mirë të tashmën politike të Etiopisë, duhet pak t’i kthehemi ngjarjeve vendimtare që kanë formësuar kushtet për zhvillimet e tanishme në vend. Etiopia shtrihet në pjesën lindore të kontinentit afrikan. Një vijë e hollë tokësore e Eritreas, Somalisë dhe Djiboutit e ndan nga dalja në golfin e Edenit dhe detin e kuq. Në anën tjetër të detit gjendet Yemeni. Për shkak të pozicionit gjeostrategjik nuk është për t’u çuditur se ky regjion ka qenë qendra e një prej civilizimeve më të lashta që datojnë deri më sot. Megjithatë, luftërat civile dhe përçarjet etnike ende mbesin mollë sherri në rrugën drejt demokratizmit të shteteve afrikane. Ky shkrim ka për qëllim të diagnostifikojë faktorët e konfliktit në Etiopi si dhe të gjejë përgjigje rreth rolit që luan identiti multi-etnik në dinamikën e konflikteve të brendshme.

Kapitulli i ri në politikën e Etiopisë fillon me rënien e regjimit afro pesë dekadëshe të Tafari Makonnen që njihej ndryshe si Haile Selassie, një titull hyjnor që kuptohet si inkarnacioni i perëndisë. Reformimet në sistemin parlamentar, arsimor, dhe atë të shëndetësisë i atribohen atij, ndonëse ai kishte një dorë të hekurt mbi qeverisjen e vendit. Sidoqoftë, me marrjen e pushtetit të juntës ushtarake Derg, rruga drejt paqës dukej se ishte ende larg. Junta Derg mori pushtetin jo pagjakderdhje dhe ushtrim të dhunës, në veçanti ndaj grupit etnik të Tigrisë, një popull që shtrihet kryesisht në veri të Etiopisë dhe përbën afro 6% të popullsisë etiopiane. Afro dhjetëra mijëra njerëz në rradhët e grupit etnik të Tigrisë pësuan këtë ndryshim pushteti me jetët e tyre, kjo si rrjedhojë e dhunës represive që njihet si “terrori i kuq”. Si kundërpërgjigje ndaj dhunës së ushtruar nga junta Derg, me 1975 u krijua Fronti Liberal i Popullit të Tigrisë (FLPT) i cili sot luan një rol kyç në zhvillimin e konflikit të tanishëm.

Në mbështetje të vullnetit të FLPT-së, dikur rreth vitit 1991, formohet aleanca Fronti Revolucionar e Demokratik i Popullit Etiopian (FRDPE), aleancë kjo që udhëhiqej në mënyrë të plotë nga FLPT-ja, dhe me këtë hap arrinë të rrëzoi nga pushteti qeverinë ushtrarake të juntes Derg. Ky triumf i dha FLPT-së qasje të pakushtëzuar në udhëheqjen e aparatit shtetëror përgjatë 27 viteteve të ardhshme. Mirëpo, duke konsideruar se Etiopia është strehë e shumë grupeve të tjera etnike, filloi të krijohet përshtypja se komuniteti i Tigrisë gëzonte superioritet vendimtar mbi to duke lënë anash edhe kritikat e mëdha në trajtimin e saj kundrejt grupeve tjera etnike, përfshi edhe atë të Oromos që llogaritet si grupi më i madh etnik në Etiopi. Duhet përmendur se Etiopia është republikë federale e cila deri më sot mbetet e qeverisur nga një parti fuqiplotë në një ambient që ka lënë pak hapësirë për pluralizëm politik.

Në vitin 2018, për shkak të protestave kundërqeveritare dhe pakënaqesive në mënyrën e qeverisjes së FLPT-së, politika e Etiopisë sërish përjeton një kapitull të ri. Në këtë radhë përfaqësuesit politik të FLPT-së mbesin jashtë kryesimit, ndërkohë që udhëheqësinë e aleancës FRDPE e merr Abiy Ahmed si zëdhënës i komunitetit Oromo. Nën drejtimin e Ahmed arrihen një sërë reformash përfshi këtu edhe zgjidhjen e konfliktit të gjatë në mes Etiopisë dhe Eritreas. Si rezultat i këtij suksesi, Ahmed fiton çmimin nobel për paqe. Ndër tjerash, Ahmed propozon fuqizimin e qeverisë federale dhe zvogëlimin e autonomisë së shteteve regjionale brenda vendit. Në kërkim të ambicieve edhe më të mëdha, Ahmed shpërbën aleancën FRDPE të dominuar nga FLPT dhe fton ata që t’i bashkohen në Partinë e Prosperitetit. Mirëpo, këta të fundit e refuzojnë ofertën. Ideja e centralizimit nuk mirëpritet në mbarë vendin.

Në prag të zgjedhjeve të reja që priteshin të mbahen në shtator 2020, Ahmed shtyn zgjedhjet për shkak të krizës pandemike që ka prekur mbarë globin. Ky veprim i Ahmed nga rradhët e FLPT-së u cilësua si kundërkushtetuese dhe me motivin se po pretendon të mbahet sa më gjatë në pushtet. Në pakënqësi të këtyre zhvillimeve, FLPT-ja vendos të mbajë zgjedhje regjionale në tentativë për të legjitimuar veten në veri të vendit. I pamirëpritur nga qeveria qendrore, Ahmed akuzon FLPT-në se po ndërmerrë veprime që janë në kundështim me parlamentarizmin etiopian.

Mbas sulmeve mbi bazën ushtarake të shtetit për të cilën vihet në faj FLPT-ja, qeveria  kundërpërgjiget me sulme ajrore në regjionin verior të vendit duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke shtyrë njerëzit të zhvendosen jashtë shtetit. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për dhunë ndaj popullatës civile ndërkohë që organizatat humanitare po mundohen të kthjellojnë turbullirat e krijuara duke verifikuar veprimet e ushtruara nga forcat qendrore dhe paramilitare në terren.

Në tentativën për të ruajtur qetësinë, Ahmed mundohet të vë kontroll në vend duke e cilësuar krizën aktuale si problem i brendshëm që domosdo edhe do të zgjidhet pa patur nevojë përfshirjen e aktorëve të jashtëm. Nga pikëpamja e jashtme duket se Ahmed po mundohet të ruajë imazhin e unifikuesit duke ofruar asistencë humanitare ndaj refugjatëve. FLPT-ja mohon të ketë asistencë dhe se në të kundërt veprimet e qeverisë po shkaktojnë viktima të mëtutjeshme. Ahmed në anën tjetër shtrihet përballë një sfide që mund ta vë atë në një pozicion të pasigurtë meqë po përballet me vështirësi në tre fronte, pandeminë, konfliktin në Tigri, dhe së fundi, imazhin në sytë e komunitetit Oromo që mbetet skeptike me politikat e premtuara dhe të papërmbajtura të tij.

Kriza në Tigri rrëzikon poashtu ndërlikime jashtë kufive. Sudani vet është duke përjetuar një fazë të vështirë tranzicioni të brendshëm politik. Duke u bazuar në atë se regjioni i Tigrisë prek edhe kufirin e Eritreas e cila deri tani nuk duket se ka ndërmend të përshfshihet në këtë konflikt sado që faktorët e brendshëm domosdo ushtrojnë efekt tërheqës dhe në rastin më të mirë do ta gjenim Eritrean si ndërmjetësuese për zgjidhje të konfliktit. Mirëpo, përfshirja e Eritreas në konflikt do të thoshte riformulim i dinamikave të fuqisë brenda Etiopisë dhe mundësia e një tranzicioni nga konflikt i brendshem në atë ndërshtetëror. FLPT-ja madje akuzon Eritrean si komplice të qeverise së tanishme etiopiane.

Me vend shtrohet pyetja se cilat janë rrugëdaljet nga kjo krizë dhe nëse ekziston ndonjë rrugëdalje në rradhë të parë. Ajo çka mund të pohojmë me siguri të plotë është se pa përfshirjen e të dyja palëve, konflikti do të mbetet larg zgjidhjes sepse të dyja palët gëzojnë legjitimet të gjerë në vend. Sa më shumë që zgjat konflikti, aq më shumë rrëzikohet përfshirja e akterëve të tjerë, ndërkaq kredibiliteti i shtetit dhe institucioneve mund të bie. Pikësëpari duhet të kërkohet ndryshim të qasjes dhe formës së komunikimit në mes palëve të përfshira. Aty ku ka mungesë të besimit, futja e një pale të tretë të paanshme do ta ndihmonte gjendjen. Në këtë rast, Unioni Afrikan mund të luajë një rol të rëndësishëm si ndërmjetësues në zbutjen e situatës. Ndyshimi i proporcioneve të fuqisë brenda vendit ka ndikuar në shtresëzime më të thella dhe vija më përçarëse në mes grupeve të ndryshme etnike që supozohen të bashkëjetojnë në harmoni, por të cilat fatkeqësisht bien pre e politikave të dhunës dhe paragjykimit. Konfliktet që kanë origjinën tek identiteti nuk janë çështje të lehta për t’u zgjidhur dhe si të tilla kërkojnë ndërmjetësim regjional në mënyrë që të parashtrohen dhe të trajtohen kërkesat e të dyja palëve, jo vetëm si metodë për të synuar lëshime ndaj njëra-tjetres, por si mënyrë për të gjetur një kompromis që i jep fund dhunës si një akt fillestar të një mirëbesimi. Ajo çka e vështirëson menaxhimin e konflikteve në formacione politike si ato të Etiopisë është mungesa e besimit të ndërsjelltë dhe egoja e rënduar e përfaqësuesve politik që në kërkim të idealeve e vënë gjithë popullatën në rrëzik nga luftërat. Ajo çka e përbën fundamentin e demokracisë, ndër tjerash duhet të jetë mirëqenja e qytetarëve. Në kërkim të fuqizimit politik dhe me preteksin se e gjitha po bëhet për një jetë më të mirë, druhemi se pëgjegjësit e kësaj katrahure duhet të formulojnë racionalitetin mbrapa hipokrizive të veta. Skenari më i keq i këtij konflikti përfshinë vrasje dhe spastrime etnike. Te dyja palët mbartin përgjegjësi në rrjedhën e zhvillimeve të tanishme sepse të dyjat palët kanë poashtu përgjegjësi përfaqësuese e gjithëpërfshirëse ndaj zërave që tani po rrëzikojnë të tingëllojnë si britma ankthi e jo si shprehje e vullnetit të lirë.

*Ali Hoxha, ekspert në fushën e sigurisë ndërkombëtare.

/argumentum.al

© Argumentum