Covid-19/ Manastirliu: Nga 1 dhjetori mësimi do bëhet i alternuar, gjysma e nxënësve online dhe gjysma tjetër në klasë

Një pjesë e nxënësve pritet të mos kthehen në klasa pas pushimeve të festave të nëntorit pasi autoritetet shëndetësore i rekomanduan Ministrisë së Arsimit të kalojë në një kombinim të mësimit në klasë me mësimin online, një skenar që planifikohet të zbatohet jo në mënyrë tërësore në të gjithë territorin e vendit, por zonë pas zone, në bazë të ecurisë së pandemisë në zonat përkatëse.

“…pas rekomandimit të Komiteti të Ekspertëve kemi vendosur që ti rekomandojmë ministrisë së Arsimit që prej datë 1 dhjetor të aplikojmë skenarët me mësim të alternuar, klasike, fizike dhe të kombinuar me mësim online. Bazuar në specifikat e situatës lokale të epidemisë,” deklaroi Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në një mesazh video të publikuar në faqen e saj në Facebook.

Shqipëria regjistroi ditën më tragjike të martën me 19 viktima të shënuara në 24 orë nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Mesatarja dyjavore e infektimeve ditore të martën shënoi nivelin 630 infektime, një tregues kyç që vijon të jetë në rritje të pandërprerë që nga fundi i tetorit.

Shqipëria vendosi hapjen e shkollave fillore dhe të mesme gushtin e kaluar, kur shifrat e pandemisë ishin të ulëta. Shkollat u hapën me orare të shkurtra dhe me katër turne për të shmangur mbipopullimin e klasave. Që nga ajo kohë, qeveria ka këmbëngulur që nxënësit nuk janë përhapës të koronavirusit.

Edhe të mërkurën, ndërsa shpalli vendimin e Komitetit të Ekspertëve, Manastirliu përsëriti se “nuk vlerësohen të jenë transmetues të lartë i infeksionit.”