Di Maio: Italia, mbështetje të plotë rrugëtimit europian të Shqipërisë

Ministri i Jashtëm dhe i Bashkëpunimit Ndërkombëtar i Republikës së Italisë, Luigi di Maio konfirmoi sot në Tiranë, mbështetjen e Italisë në proceset integruese të Shqipërisë në rrugëtimin europian.

Në fjalën e mbajtur sot në tryezën rrumbullakët me temë “Lufta kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi si një shtysë për rritjen ekonomike të Shqipërisë’, Di Maio vlerësoi se lufta kundër korrupsionit është një komponent kyç në ecjen para të vendit drejt BE-së.

“Shpreh këtu mbështetjen e plotë të Italisë për rrugëtimin europian të Shqipërisë. Dhe në këtë drejtim lufta kundër korrupsionit është një prej përparësive. Korrupsioni dëmton marrëdhëniet midis institucioneve por edhe mes institucioneve dhe shtetasve”, tha ai.

Di Maio theksoi se korrupsioni minon rrënjët e shtetit të së drejtës, gjithashtu edhe dëmton besueshmërinë e shtetasve ndaj institucioneve.

“Korrupsioni në vetvete është një pengese për zhvillimin e vendeve tona, rrit më tej edhe pabarazinë, largimin e kapitaleve të inteligjencës dhe nuk inkurajon shtetasit që të japin kontributin e tyre në jetën demokratike”, tha ai.

Sipas Di Maios, “kriza aktuale që është shkaktuar edhe thelluar më tej edhe nga pandemia, përbën një rrezik të mëtejshëm sepse mund të prodhoj efekte negative kudo edhe gjatë emergjencave”.

“Pandemia ka ngadalësuar edhe përpjekjet për ta luftuar korrupsionin. Ne jemi të angazhuar edhe në kuadër të OSBE-së të forcojmë më tej luftën ndaj më shumë korrupsionin duke hartuar strategji inovative. Shqipëria dhe Italia kanë dialoguar shumë, si në nivel dypalësh ashtu edhe shumëpalësh. Ne do ta mbështesim Shqipërinë edhe në këtë sfidë, kjo e lidhur ngushtë edhe me mbështetjen tonë të madhe për rrugëtimin tuaj në Bashkimin Europian. Shqipëria dhe Italia ecin bashkë. Të gjithë bashkë mund të shohim me besim drejt BE-së”, tha Di Maio