“Dita e Alfabetit”, presidenti Meta kujton arritjen e Kongresit të Manastirit

Mbi një shekull më parë dhe pavarësisht rrethanave historike, figurat e shquara të kombit arritën në Kongresin e Manastirit të unifikojnë alfabetin e gjuhës shqipe. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.

Në Kongresin e Manastirit merrnin pjesë shqiptarë te fesë myslimane, katolike, ortodoksë, dhe protestantë, njerëz të ditur dhe të gjithë u bën bashkë për arritjen e një qëllimi të madh kombëtar. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi.

Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, nga Shkodra, preku të gjithë pjesëmarrësit në Komgres. Kërkesa e figurave të shqura ishte e qartë dhe e prerë, që gjuha shqipe të mos shkruhej me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin. Kongresi i Manastirit vendosi të lërë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe ta shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja, alfabet ky, i cili përdoret deri më ditët tona.

Data 22 nëntor njihet ndryshe si “Dita e Alfabetit”, dhe për këtë presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka kujtuar dhe nderuar Rilandasit e kombit për arritjen dhe unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

“Gëzuar Ditën e Alfabetit të gjuhës sonë të bukur shqipe, të shkruar me germa gjaku, pas sakrificash të panumërta të patriotëve dhe intelektualëve tanë. Nderim dhe mirënjohje Rilindasve të vërtetë të kombit tonë, që 112 vjet më parë, të mbledhur në Kongresin e Manastirit, njehsuan elementin më të rëndësishëm përbashkues të shqiptarëve, për t'i paraprirë Pavarësisë së Shqipërisë”, shkruan Meta.

Me rastin e kësaj dite, para institucionit të presidencës u bë ekspozimi i dokumenteve dhe punimeve të rralla të Kongresit të lavdishëm të Manastirit, i cili nisi punimet më 14 nëntor dhe i përfundoi ato më 22 nëntor të 1908, pra 112 vjet më parë.

“Në themel të çdo kombi qëndron gjuha, ndaj mbrojtja e saj nga çdo armik apo gjakprishur, i shërben identitetit tonë kombëtar.  I lumtur që në përvjetorin e kësaj ngjarjeje të shënuar kombëtare, të ekspozoheshin në Institucionin e Presidentit, dokumente dhe foto nga punimet e Kongresit të lavdishëm të Manastirit’, shkroi Meta.