Dita e Pavarësisë, Sekretari Pompeo: SHBA aleate e palëkundur e Shqipërisë

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka bërë një deklaratë në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, ku thekson se këtë vit festohet me vendimin e Bashkimit Evropian për të hapur negociatat e anëtarësimit në BE.

“Ndërsa Shqipëria feston Ditën e saj të Pavarësisë, unë ju dërgoj urimet në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan. Këtë vit, ne festojmë edhe vendimin e Bashkimit Evropian për të hapur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë, një shenjë e përparimit të rëndësishëm që Shqipëria ka bërë në zbatimin e reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE.

Deklaratë e Sekretarit të Shtetit Pompeo në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë | https://t.co/zvJcNiftD1 ???? pic.twitter.com/jGRMA4e1RJ

— USEmbassyTirana (@USEmbassyTirana) November 28, 2020

Ne e përgëzojmë Shqipërinë për udhëheqjen e saj si kryesuese e OSBE-së për 2020-ën dhe vlerësojmë gjithçka që ajo ka bërë për të shfaqur përkushtimin e saj ndaj komunitetit Transatlantik. Shqipëria luan një rol qendror në ndihmesën për sigurimin e paqes dhe stabilitetit si pjesë e Aleancës së NATO-s, dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë Shqipërisë si një aleate e palëkundur. Uroj mirëqenie dhe shëndet për popullin shqiptar, ndërsa punojmë së bashku për të kapërcyer sfidat me të cilat na përballi pandemia COVID-19”, thuhet në deklaratën e z. Pompeo të shpërndarë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Urim për 108-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë ka bërë dhe ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim. "Më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali ngriti flamurin #kuqezi, duke e shpallur Shqipërinë të pavarur nga Perandoria Osmane. Jetë të gjatë Shqipërisë së Pavarur! Jetë të gjatë shpirtit kurajoz të Qemalit & Skënderbeut! Gëzuar Ditën e Pavarësisë, miq të dashur shqiptarë!", shprehet znj. Kim.