Europa po na flet, Negociatat në rrezik, Haga - kur e si dhe mesazhe ruso-greke

Realpolitik “ flash” Nr. 19     

 17 - 31 TETOR 2020

***

EKSKLUZIVISHT për ARGUMENTUM vihen pikat mbi  “ i”  vetëm me 1.000 fjalë  nga diplomati dhe analisti  i njohur:

Dr. JORGJI KOTE

-Europa po na flet! Në një forum biznesi në Mynih më 18 Tetor, Kryeministri Rama qortoi BE-në se Shqipëria “do të martohet” me të, por ajo nuk po na flet”!! Sërish Rama i krahason negociatat me krushqi dhe me dasma martesore, kur ato janë në fakt  maratonë me  shumë sfida dhe stacione. Sa për Europën, ajo po flet, madje troç t për Ballkanin dhe Shqipërinë. Ja, në Maj dha për gjithë rajonin 3,3 miliard Euro kundër koronës, ndërsa më 6 Tetor miratoi Planin “ Marshall” europian 2021 - 2027 për investime me 9 miliard Euro! Posaçërisht për Shqipërinë, në shkurt BE-ja mblodhi 1,15 Miliard Euro pas Tërmetit të 26 Nëntorit 2019; sa për negociatat, pas miratimit të Metodologjisë së re të Zgjerimit drejt Ballkanit Perendimor më 4 Shkurt, më 25 Mars dha PO-në për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Paskësaj, nuk ka mbetur “ i madh dhe i vogël” në BE pa “bërtitur” e na u lutur që të nxitojmë me reformat.

Edi Rama për fundjavë në Berlin. Flet në seminar gjysëm bosh dhe pa interes për Shqipërinë – FAKTOR.AL

Më i fundit ishte Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel që më 30 Tetor i tha Kryeministrit Rama se hë, ç’po bëni, “ ne mezi po ju presim në Konferencën e Parë Ndërqeveritare” Ja pra, që Europa që po flet e po na pret, por qeveria nuk do të dëgjojë. Dhe në vend të shohë të keqen nga brenda, Kryeministri Rama vazhdon të sajojë faktorë dhe rreziqe imagjinare si “dinamikat e brendshme”. Boll më, koha nuk pret!

-Negociatat në rrezik! Ndonëse dhjetori i shumëpritur po troket te porta, ende askush nuk thotë dot nëse negociatat do të çelen brenda vitit. Madje shenjat janë se “ NDOSHTA” e sinjalizuar në verë po anon drejt JO-së. Presidenca gjermane njoftoi zyrtartisht ditët e fundit se këto negociata do të çelen me Maqedoninë e Veriut në dhjetor, ndërsa me ne, “vetëm nëse krijohen kushtet/rrethanat”.  Ka të dhëna dhe pse të pakonfirmuara se pesë vende - Franca, Gjermania, Spanja, Holanda dhe Danimarka kanë hezitime/rezerva për dhjetorin. Ja pse më 6 Nëntor pritet me ankth debati për këtë çështje në Parlamentin holandez dhe sidomos Takimi i Ministrave të Jashtëm më 10 Nëntor, i cili do të japë verdiktin pothuajse përfundimtar.

Gjithsesi, pengesa më e madhe për Dhjetorin është vetë Tirana zyrtare që po çalon me plotësimin e kushteve të njohura. Veç mungesës së Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, tani doli dhe problemi i Kodit të ri Zgjedhor i miratuar javën e kaluar në Kuvend, pa pritur Opinionin e Venecias, siç sugjeruan dhe ndërkombëtarët. Kështu, 30 Korriku i njëanshëm iu kundërvu 5 Qershorit konsensual të mbështetur nga BE-ja, duke e ndërlikuar së tepërmi situatën. Së fundi, Kryeministri Rama sfidoi hapur dhe Komisionerin e BE-së Varheley. Për pasojë, jemi shumë prapa nga Maqedonia, e cila i zhvilloi dhe zgjedhjet, ndërsa ne ende jemi “ ala te ura” Në këto kushte, negociatat rrezikohen seriozisht dhe mbetet vetëm të themi “ inshallah” që BE të mos na thotë “ kthehuni  në verë apo dhe në vjeshtë 2021”.

-Haga, kur dhe si? Ideja për ta çuar çështjen e detit në Gjykatën e Hagës nuk e afron zgjidhjen por vetëm sa e shtyn atë në axhendën politike dypalëshe. Ndaj lind pyetja, ok në Hagë, por kur dhe si? Hë për hë nuk pritet ndonjë lëvizje, sepse në rrethanat e tanishme politike të njohura në të dy vendet, deti mbetet ” bombë me sahat” Gjithsesi, hapi i parë është zhvillimi i negociatave dypalëshe për të përcaktuar çështjet ku palët ndahen kategorikisht. Sepse në Hagë nuk do depozitohet një memorandum politik por një akt juridik i përbashkët.  Mirëpo, zhvillimi i negociatave me Greqinë kërkon një ekip të ri neociatorësh dhe sidomos autorizimin e Presidentit të Republikës që nuk mund të merret apriori.

Pengesat për paktin e detit Tiranë-Athinë, media greke: Sërish frikë nga ndërhyrja turke – Gazeta Impakt

Veç kësaj, mund të dalë e nevojshme një diskutim paraprak ekspertësh dhe me transparencë publike lidhur me aspektet më delikate të këtyre negociatave. Me shumë rëndësi është rregullsia dhe përmbajtja bindëse e dokumentit, që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ta rregjistrojë e të mos e kthejë për plotësime të nevojshme, çka do të shtonte kohën. Askush nuk e thotë dot se sa do të zgjasë kjo periudhë, paraprakisht në Athinë dhe Tiranë, përpara se dosja të shkojë në Hagë.  Kjo e fundit, zakonisht kërkon rreth 2 vite kohë për të arritur në një vendim, me  diskutime, konsulencë dhe oponencë të sofistikuar juridike  dhe nën një vëzhgim të rreptë politik dhe publik. Së fundi  dhe vetë verdikti i Hagës mund të ndeshë në kundërshtime ose hezitime nga secila palë dhe opinioni publik. Ndaj, pauza deri në Hagë, është vetëm një ndalesë e shkurtër kohore, sa për të marrë frymë dhe për të mbledhur vehten. Ja pse do bërë gjithçka që ajo të mos jetë qetësi përpara furtunës.

-Mesazhe greko-ruse: Më 26 Tetor, ministri i Jashtëm rus Lavrov vizitoi Athinën ku u takua me liderët e saj më të lartë në një atmosferë të përzemërt dhe miqësore. Kjo vizitë erdhi pas një farë ftohjeje të tyre dy vitet e fundit. Me mesazhet që dha, ajo mund të konsiderohet si  arritje diplomatike për të dy vendet. Greqia zgjeron aleancën e saj kundër Turqisë, pas Francës, Egjiptit, Izraelit, Qipros dhe Italisë tashmë dhe me aleatën e saj tradicionale Rusinë. Lavrov e shfrytëzoi këtë vizitë në një kohë kur siç kemi shkruar më parë “ anija e BE-së dhe NATO-s “po fut ujë” pas sherreve politike dhe ushtarake mes Francës, Turqisë, Greqisë, etj.

Pikërisht tani që ato po i “tregojnë dhëmbët” njeri tjetrit, Moska pohoi se pavarësisht përkatësisë greke në BE dhe NATO, kjo nuk përbën pengesë për marrëdhëniet ruse me Greqinë dhe vende të tjera antare. Ndërkohë, vizita në Athinë ishte mundësi tjetër për Rusinë, për “t’i tërhequr veshin” Turqisë që të “mos luajë me zjarrin”, sidomos në zonat e influencës ruse, siç po bën  në Armeni me garanci mbrojtëse nga Rusia.

 

/argumentum.al

© Argumentum