Hashim Thaçit i konfimohet akt-akuza nga Gjykata Speciale, jep dorëheqjen si President i Kosovës

Presidenti i vendit Hashim Thaçi në një konferencë për media ka bërë të ditur se sot i është konfirmuar aktakuza nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Para pak çastesh jam informuar prej njerëzve kompetent se gjyqtari i Dhomave të Specializuara ka konfirmuar aktakuzën ndaj meje. Janë këto momente të vështira për mua dhe familjen time”, ka deklaruar presidenti Thaçi.

Ai ka bërë të ditur se do të bashkëpunoj ngushtë me drejtësinë dhe nga ky moment do të jetë në dispozicion të drejtësisë.

Ai tha se për shkak se nuk dëshiron të shkojë para Dhomave të Specializuara si president i Kosovës, ai jep dorëheqje nga kjo pozitë.

“Para pak çastesh jam informuar prej njerëzve kompetent zyrtarisht që gjykatësi i procedurës paraprake pranë Dhomave të Specializuara kanë konfirmuar aktakuzën ndaj meje”, tha Thaçi në një konferencë për media në Prishtinë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 24 qershor ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas Zyrës së Prokurorit, ata janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e "të tjerëve", siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.

Në muajin korrik, Thaçi u morr në pyetje nga prokurorët në Hagë për katër ditë me radhë, ku ka folur, siç ka deklaruar, për rolin e tij, përgjegjësitë e tij gjatë luftës, në periudhë që mbulon mandati i Gjykatës Speciale.

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar në vitin 2015 pas ndryshimeve kushtetuese, me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare. Ajo financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.