“Integrimi është shërimi nga virusi i autokracisë”

Nga Ardit Gjinali

Autokracia është një virus tinëzar që depërton në trupin e sistemit demokratik dhe instalohet duke shfrytëzuar hallkat e dobëta të të njëjtit;  vret  hapësirën demokratike  që mundesoi ardhjen e saj në pushtet  duke u paraqitur si shpresë  për ndryshim  dhe rreket të  mbysë  çdo frymëmarrje demokratike që do të kërcënonte demaskimin  e saj publik   dhe do të  pengonte instalimin e saj si një rend shoqëror. Në një  rend autokratik, frymimi dhe belbëzimi i friguar njerëzor quhet liri shoqërore dhe e shprehjes; votimet quhen zgjedhje; shërbimi politik sezonal ndaj pushtetit quhet opozitarizëm parimor; vend - zbrazja  e përroit psikik të një  individi politik quhet foltore parlamenti; maliqi  quhet ligj; diktati quhet urdhër; arbitrariteti quhet rregull; rrushfet- dhënësi quhet taksapagues; praktika  korruptive  quhet proçedurë e lehtësuar dhe e përshpejtuar.

Virusi i autokracisë  rreket të instalohet përmes mendësisë orientale të satrapëve modernë, të tillët që kanë si mentalitet politik sundimin që arrihet përmes shkeljes së standarteve demokratike dhe evokimit të një stabiliteti të gënjeshtërt shoqëror dhe politik;- stabilitet  që mvesh zërin e reagimit qytetar, mjegullon  shikimin e syrit që kontrollon  praktikat abuzive të keqqeverisësit  dhe gumëzhin dëgjimin e qeverisësit ndaj hallit të pazgjidhur të qytetarit të thjeshtë që troket dyerve të ftohta të institucioneve ; të tillat që funksinojnë mbi fermanet e lëshuara   nga mëkëmbësit e stabilokratit të madh.

Autokraci-virusi mund të luftohet  përmes krijimit të kundërtrupave që do të mundësonin rritjen e imunitetit demokratik të një shoqërie , që mund të realizohet  përmes vendosjes  dhe zbatimit të  standarteve demokratike që do të kurorëzonin suksesshëm proçesin e Integrimit Europian; i tilli që do të ishte vaksina e duhur që do të shëronte sistemin demokratik nga infektimi që i shkakton virusi i autokracisë.  Zgjedhjet e lira, vullneti  qytetar  i pa-deformuar, reagimi qytetar kur i njëjti shkelet, zbatimi i ligjit,  balanca e pushteteve dhe liria e informimit janë elementët thelbësore që do të luftonin flamën e autokracisë ; këta do të ishin baza e shëndetëshme që do të largonin ose do të pengonin rikthimin e të keqes në organizmin demokratik.

Integrimi Europian është qëllimi më i lartë i lirisë dhe kurorëzimi i idealeve më të larta për mirëqënien, prosperitetin, zhvillimin, zbatimin e ligjit dhe konsolidimin  e  demokracisë; është konfirmimi përmes akteve i pjesëmarrjes në aleancën më të madhe të vlerave perëndimore duke materializuar kauzën e një Shqipërie Europiane, e tilla që nuk mund të jetë  vetëm  një nocion gjeografik; Integrimi Europian është kauza më e lartë e patriotizmit modern që njehsohet me interesin më të lartë kombëtar të Republikës, gjithashtu. Proçesi i Integrimit Europian gjatë këtyre 7 viteve nuk ka njohur asnjë progres  thelbësor  dhe ka mbetur në një stanjacion dramatik duke u endur mes propagandës qeveritare të sukseseve të lavdishme  dhe kushteve të shtuara nga Bashkimi Europian si pasojë e regresit të vazhdueshëm në të gjithë hallkat e jetës shoqërore , politike dhe shtetërore. Skepticizmi i zëshëm i Amsterdamit zyrtar nuk është i vetmi në hartën e zgjeruar të shteteve anëtare që kanë dyshime thelbësore mbi progresin e propaganduar nga propaganda qeveritare përmes analeve të lobimit; nuk mbetet e tepërt të kujtojmë 9 kushtet e miratuara me votën e pjesëtarëve të Bundestagut Gjerman që përfaqësojnë vullnetin e qytetarit Gjerman, gjithashtu; deklaratat e zyrtarëve politikë dhe institucionale mbi shkeljen e marrëveshjes së 5 Qershorit dhe miratimet e njëanshme kushtetuese janë vazhdimësi e një panorame të trishtë që nuk e bën skepticizmin hollandez të ngjasojë  si një rrufe në qiell të pastër; qielli është njëjtë gri, si grija politike e ditëve  autokratike  që po jetojmë.

25 Prilli është apeli i vazhduar dhe i përsëritur për një Shqipëri të ditëve më të mira ku pjesëmarrja e gjerë qytetare në zgjedhje  dhe ushtrimi i të drejtës demokratike për të votuar janë komponentët kryesorë që do të garantonin ndëshkimin e keqqeverisjes, e tilla  që është shndërruar në një makth për vlerat më të mira të lirisë dhe demokracisë. 25 Prilli është dita e madhe e patriotizmit modern kombëtar ku forca e votës është  evolucioni  i vërtetë demokratik që do të garantonte fillimin e kurorëzimit të proçesit të Integrimit Europian, i tilli që do të ishte ngadhënjimi i vokacionit perëndimor të qytetarëve shqiptarë.  Një bashkim i madh për ditë më të mira për ta bërë Shqipërinë të jetueshme dhe të rëndësishme  sërish. Koha është tani! Bashkë sepse ka ende shpresë....

© Argumentum.