Jakup Krasniqi në Hagë: Nuk jam fajtor...“I kam dhënë zë luftës së UÇK-së”

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi u deklarua i pafajshëm për aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që Dhomat e Specializuara në Hagë kanë ngritur ndaj tij. Pala mbrojtëse tha se shumë shpejt do të bëjë kërkesë për lirimin me kusht të Krasniqit.

"Unë nuk ndihem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë që thuhet në aktakuzë dhe për asnjë gjë tjetër që thuhet në aktakuzë", tha Krasniqi gjatë paraqitjes së parë para Dhomave të Specializuara, ku u pyet nëse deklarohet i pafajshëm apo fajtor për krimet që rëndojnë ndaj tij.

Krasniqi: Ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtetformuese

Krasniqi, para se të deklarohej për aktakuzën mbajti një fjalim para gjykatës, ku tha se i është bërë një padrejtësi e madhe.

"Cilësimi i prokurorit të Dhomave të Specializuara se ne qenkemi ndërmarrje kriminale e përbashkët, për mua, shokët e mi, familjen time që luftuam gjatë, por edhe për kombin tonë nuk ka diçka më fyese pasi ne një kohë të gjatë në rrethana tepër të vështira jetë a vdekje, u vumë në shërbim të lirisë e të shtetndërtimit të cilat i arritëm në bashkëveprim me Shtetet e Bashkuara, me vendet e Bashkimit Evropian, me NATO-n, me OKB-në dhe të gjithë së bashku ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtetformuese", tha Krasniqi gjatë një fjalimi para Gjykatës në Hagë, ku u pa se ishte i emocionuar.

Ai shtoi se "ndërmarrje e përbashkët kriminale" është "koka e Beogradit dhe mbështetësit e Beogradit".

Krasniqi u ankua edhe për trajtimin që po i bëhet nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

"Unë jam arrestuar më 4 nëntor. Në aktakuzë po na quani ndërmarrje kriminale të përbashkët. Unë dua të deklaroj sot se kurrë në jetën time në asnjë rast nuk i kam trajtuar njerëzit as kaq sa e si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut e deri në këtë ndërtesë", tha ai.

Krasniqi, që ka qenë zëdhënës i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se ka lexuar aktakuzën ndaj tij dhe se e kupton atë.

"Mua më është bërë padrejtësi e madhe dhe do ta mbaj këtë padrejtësi. Unë dhe populli im kanë mbajtur shumë padrejtësi dhe nuk kemi pasur nevojë për këtë padrejtësi", tha Krasniqi para Dhomave të Specializuara.

Sipas Krasniqit, adresa e "kësaj maskarade është në Beograd dhe mbështetësit e politikave të tij".

Sekretarja e Gjykatës lexoi pikat e aktakuzës për të cilat pretendohet se Krasniqi i ka kryer, përkatësisht ai dyshohet për krime kundër njerëzimit: përndjekje dhe burgosje. Krasniqi po ashtu akuzohet për krime lufte si: ndalim arbitrar, akte të tjerat çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjykata pretendon se ekziston dyshimi i bazuar se Krasniqi ka kryer këto krime.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou i lexoi Krasniqit të drejtat e tij dhe pyeti palën mbrojtëse për përcaktimin e datës për konferencën e statusit. Ai tha se deri më 13 nëntor do të përcaktohet data për konferencën e statusit.

Avokatja mbrojtëse e Krasniqit, Venkateswari Alagendra kërkoi që t’i jepet mbrojtjes 30 ditë kohë që të përgatitet për konferencën e statusit.

Gjykatësi Guillou tha se Krasniqi do të mbesë në paraburgim dhe pala mbrojtëse mund ta kundërshtojë këtë masë.

Para Dhomave të Specializuara, të hënën, duke nisur nga ora 15:00 do të paraqitet edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Më 10 nëntor, pranë këtyre dhomave do të paraqitet edhe ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ndërsa, më 11 nëntor, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi.

Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi, të gjithë ish-eprorë të UÇK-së, janë arrestuar javën e kaluar në Prishtinë, pas konfirmimit të një aktakuze kundër tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Menjëherë pas arrestimit, ata janë transferuar në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.