Kadri Veseli para gjykatës: Jam i pafajshëm për të gjitha akuzat

Ish kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha të martën se është i pafajshëm për të gjitha akuzat e Prokurorisë së Posaçme e cila e ngarkon atë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Zoti Veseli u paraqit në Gjykatën e Posaçme në Hagë, disa ditë pasi dha dorëheqje nga të gjitha funksionet politike për t'u përballur me akuzat e Prokurorisë për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave.

Sipas prokurorisë, "krimet janë kryer midis afërsisht prillit 1998 dhe gushtit 1999 në një numër vendndodhjesh në Kosovë dhe Shqipëri. Në Kosovë – Bare, Bajgorë, Llapashticë, Majanc, Potok dhe vende të tjera në komunën e Podujevës, në Drenoc dhe vende të tjera në komunën e Rahovecit, malet e Berishës në Llapushnik dhe vende të tjera në Drenas, Ferizaj dhe vende tjera në këtë komunë, Gjilan, Jabllanicë në Gjakovë, disa vende në Kaçanik, Kleçkë dhe vende të tjera në Lipjan, Likoc dhe vende tjera në Skenderaj, Malishevë dhe vende të tjera në këtë komunë, Shpella e Volljakës në Klinë, Novobërdë, Zllashë dhe vende të tjera në Prishtinë, Prizren dhe vende të tjera në këtë komunë, Suharekë dhe vende të tjera në këtë komunë, Viti si dhe Cahan e Kukës në Shqipërinë Veriore".

Krimet, thuhet në akuzën e prokurorisë, "u kryen si pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundrejt popullatës civile në Kosovë dhe Shqipëri midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999. Në veçanti krimet kishin në shënjestër njerëz që kishin bashkëpunuar ose kishin lidhje me zyrtarë të institucioneve shtetërore të ish Jugosllavisë, ose nuk përkrahnin metodat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë edhe personat që kishin lidhje me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe të përkatësisë etnike serbe, rome e të tjera".

"I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë se jam tërësisht i pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Veseli.

Zoti Veseli, është një nga katër ish drejtuesit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u arrestuan javën që lamë pas nga prokuroria e Posaçme.

Me të njëjtat akuza prokuroria e ngarkon edhe ish presidentin e Kosovës, Hashim Thaci dhe ish zëdhënësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, të cilët u deklaruan të pafajshëm të hënën në paraqitjen e tyre para Gjykatës së Posaçme.