Kur globalizimi takohet me “Perlën e Orientit” në një panair

Nga Dr. Marsela Musabelliu*

 Në qytetin lindor të Kinës, aty ku bashkëjetojnë qiellgërvishtëset më të larta në botë me kopshtet e perandorëve nga dinastitë e antikitetit, kryefjala është biznesi. Shangai është bërë qendra e botës tregtare në vetëm pak vite, duke ruajtur në të njëjtën kohë ato karakteristika aziatike që e bëjnë qytetin sa kozmopolit aq edhe tradicional. Në darkën e 4 Nëntorit 2020, lagjja mё e famshme e Shangait, Pudong, u ndez me drita ceremoniale dhe u mbulua nga ato ndriçime dhe lojëra figurash që ruhen posaçërisht për miqtë – dhe miqtë në këtë rast ishin bizneset e huaja që ekspozojnë produktet e tyre dhe risitё e kompanive përkatëse në Panairin Ndërkombëtar tё Importit të Kinës (CIIE). Për të tretin vit radhazi Shangai pret delegacione të panumёrta jo vetëm nga bota e sipërmarrjes, por edhe nga përfaqёsitë e qeverive të shumë vendeve dhe organizatave ndërkombëtare.

Jemi të hapur për biznes! Ky është mesazhi parësor që u drejtohet miqve të cilët janë përfaqёsuesit e më shumë se 2000 kompanive e organizatave. Panairi i Shangait CIIE ka për qëllim ta bëjë tregun e Kinës një treg për botën, ndryshe nga të gjithë dhe të arritshëm për të gjithë. Qëllimi është të përhapë një frymë bashkëpunimi, të bëhet një platformë për përfitim reciprok midis vendeve pjesëmarrëse dhe të promovojë gjallërimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë globale. Një ngjarje si kjo ndihmon në përmirësimin e tregtisë dhe stimulimin e rimëkëmbjes ekonomike për cilindo shtet dhe kompani që ka vendosur të jetë pjesë e këtij eventi.

Panairi është në Shangai, por i përket botës. Duket se Kina po përpiqet të injektojë më shumë siguri në botë, në një periudhë trazirash dhe ndryshimi. Tesla, Audi,NBA, Carrefour, Genral Electric, Swarovski, Michelin, Ford, Panasonic, por edhe thjeshtë mjaltё nga Kolumbia, robotë nga SHBA, qumësht nga Zelanda e Re, djathё nga Zvicra, lekurë dhe mermer nga Italia, praktikisht nga diamantet deri tek ushqimoret gjithçka është në vitrinë.

Rëndësia e CIIE dhe tregtia ndërkombëtare për Kinën nuk mund të nënvlerësohen. Kjo u dëshmua nga fjalimi i Presidentit Xi Jinping në ceremoninë e çeljes së panairit. Duke u zotuar se Kina do të vazhdojë të hapë tregjet e saj për të gjithë: “Duke pasur parasysh interesat e përbashkëta që na lidhin të gjithëve, vendet duhet të punojnë së bashku për ta bërë globalizimin ekonomik më të hapur, gjithëpërfshirës dhe të ekuilibruar për përfitimet e të gjithëve. Kina do të importojë mbi 22 trilion dollarë mallra gjatë dekadës së ardhshme dhe vendi po përshpejton hapjen e tij pavarësisht nga pandemia globale e koronavirusit” tha Presidenti kinez Xi Jinping. Kjo do të thotë se vendi nuk do të ndalojë rritjen e importeve të tij. Por këto importe, përkundrazi, do të përshtaten në përputhje me nevojat e vendit, në veçanti, interesin e tij për të mbështetur më tej inovacionin edhe për investimet e huaja direkte që do të bëhen në vitet në vijim. Cilësia ka rëndësi për Kinën. Standardet e larta po ashtu. Bashkëveprimi me botën e jashtme do të vazhdojë dhe rritet. Komponenti i ri do të jetë specifikimi i këtij lloji të marrëdhënieve ekonomike në botën pas-COVID-19. Kina e ka bërë të qartë pozicionin e saj mbi tregtinë, sidomos me botën në kthetrat e pandemisë, sot më shumë se kurrë ka nevojë për burime të forta të kërkesës për import për të përballuar stuhinë e rënies ekonomike. Pesha në rritje e Kinës si një importues global është një burim i stabilitetit ekonomik në kohë pasigurie të madhe për trajektoren e ardhshme të rritjes në rang botëror.

Kërkesa e vazhdueshme e Kinës për eksporte nga bota e gjerë ofron një siguri të mirëpritur për shumë njerëz, dhe kjo kërkesë ndërthuret më së miri me vizionin e Planit të 14-të Pesë Vjecar, i shpallur rishtas. Në themel të vizionit për vitet që do të vijnë, kolona bazë është “qarkullimi i dyfishtë” – që ka synim të sitmulojë konsumin e brendshëm. Në mometin që tregu i brendshëm rrit kërkesën, kompanitë e huaja do të mund të gjejnë opsione të pafundme për të hedhur në atë treg produktet e tyre.

Panairi Ndërkombëtare i Importit të Kinës (CIIE) dhe Shqipëria

Ҫdo shtet i botës ka mundësi të ketë nje stendë në Panairin e Importit të Shangait. Për vite Republika Popullore e Kinës (RPK) është perceptuar nga ndërmarrjet shqiptare ekskluzivisht si një treg nga i cili mund vetëm të importohet, në fakt mallrat kinezë kanë një prani dërrmuese në tregun shqiptar. Vetëm kohët e fundit, bizneset shqiptare kanë filluar të kuptojnë shkallën reale të tregut kinez dhe potencialin e madh që përfaqëson.

Sipas raporteve kombëtare, në panairin e parë (2018) ishin vetëm katër kompani shqiptare që morën drejtimin e përfaqësimit të vendit dhe ishin të pranishme në Shangai: "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", "Aquila Group", "Morava" dhe "Natyral ATC". Këto kompani janë mëse të njohura në tregun shqiptar, të gjitha kanë eksportuar për vite me radhë jashtë shtetit, dhe me sa duket, të gjitha dëshirojnë të zgjerojnë biznesin e tyre më tej në kontinentin Aziatik.

Për të përmbledhur: pije alkoolike, mjaltë dhe çajёra natyralë / bimorë, ky ishte prodhimi shqiptar i shfaqur në Shangai. Duke dëshmuar dhe mbështetur interesin e këtyre prodhuesëve, në prill 2019, Ambasadori i RPK në Shqipëri, Z. Zhou Ding, duke analizuar marrëdhëniet Kino-Shqiptare në kuadrin e Nismës “Një Brez, Një Rrugë” dhe bashkëpunimit "17 + 1", deklaroi në një intervistë: "[..] Aktualisht, autoritetet përkatëse kineze dhe shqiptare po shpejtojnë punën mbi inspektimin dhe karantinën e produkteve bujqësore shqiptare që do të eksportohen në Kinë; Besoj se shumë shpejt mjalti, qumështi, vaji i ullirit dhe vera shqiptare do të vendosen në tryezat kineze.”

Në panairin e dytë (2019) e vetmja referencë e gjetur për një pjesëmarrës është një kompani e vetme  Morava Sh.a. - kjo kompani është themeluar në vitin 1993 dhe është një ish-ndërmarrje në pronësi shtetërore. Kompania filloi si prodhues lokal i mjaltit, vetëm për t'u zgjeruar në dekadat e ardhshme në tregun evropian, amerikan dhe aziatik. Kjo kompani i është afruar tregut kinez që nga viti 2009 dhe është e vetmja nga pjesëmarrёsit në CIIE që është përpjekur vazhdimisht të hyjë në këtë treg.

Në 2020, nuk ka raportim për asnjë biznes shqiptar në Shangai, e vetmja prani ishte ajo e Zv. Ministres së Bujqesisë dhe pjesëmarrjen e saj në ceremoninë e hapjes online të CIIE. Në pah qëndronte sërish besimi për vijimësinë e bashkëpunimit me Kinën për proçedurat e inspektimit dhe karantinës, për produktet me origjinë shtazore si: qumështi, djathi, mjalti etj

Ashtu sikurse për shumë ngjarje të tjera të rëndësishme që ndodhin në Kinë, CIIE nuk ka marrë një portretizim të përshtatshëm në Shqipëri. Kjo mund t'i atribuohet kryesisht pranisë pothuajse inekzistente të shqiptarëve në Shangai (qoftë ky biznes apo politik) dhe vazhdimit të të njëjtit model të mosraportimit të ngjarjeve me interes të Kinës ndër vite.Mangësia e informacionit në fakt nuk është më i rëndësishëm se mundësia që i jepet mjedisit të biznesit për të venë në një vitrinë produktet e tyre dhe për të pasur akses në një treg prej 1.4 miliard njerёzish.

Gjithësesi, transaksionet e biznesit nuk janë i vetmi përfitim i këtij Panairi, njohja e ndërsjellëtë e kompanive përfaqësuese të secilit vend thellon njohuritë e përbashkëta mbi tregjet, inovacionet, projektime për të ardhmen dhe pa dyshim lehtëson komunikimin midis kulturave të ndryshme.

Në vitin 1840 kolonizatorët shkelmuan dyert e Shangait pas "Luftës së Opiumit" për të bastisur dhe për të pushtuar; në 2020 Shangai hap dyert botës me tregti, financë dhe panaire - globalizimi ka krijuar fole të qëndrueshme në Perlën e Orientit... kësaj radhe me bazë përfitimet e ndërsjellta.

 *Executive Director

Albanian Institute for Globalization Studies (AIGS)

/argumentum.al

© Argumentum