Lulzim Basha pas takimit me Luigi Di Maio: "Aleanca midis Shqipërisë dhe Italisë do të mbetet gjithmonë e fortë"

Kreu i PD, Lulzim Basha një ditë pas takimit me ministrin e jashtëm italian Luigi Di Maio ka zbuluar detaje të tjera nga takimi.

Postimi i plotë i Lulzim Bashën në Facebook:
Kënaqësi të prisja dje një mik të nderuar, Ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi di Maio. Ne diskutuam situatën kritike të pandemisë në Shqipëri për shkak të keqmenaxhimit nga qeveria shqiptare. Kërkova ndihmë nga miqtë e çmuar italianë për sigurimin e vaksinës anticovid, dhe mora zotimin e ministrit Di Maio se Italia do të ndihmojë me vaksinimin.
Diskutuam për procesin e integrimit europian, për ngadalësimin e tij nga mospërmbushja e kushteve. Ministri Di Maio shprehu interes të lartë për vitin e ardhshëm zgjedhor në Shqipëri. Ndava shqetësimin për ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor dhe domosdoshmërinë që qeveria shqiptare të marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Ne shprehëm angazhimin tonë për të konsoliduar më tej marrëdhëniet midis dy vendeve. Aleanca midis Shqipërisë dhe Italisë do të mbetet gjithmonë e fortë.