Maqedonia e Veriut drejt (Zh)bërjes si SHTET

Nga Marjana DODA

“Lufta për Maqedoninë - një konkurs i papajtueshëm për ‘zemrat dhe mendjet’  maqedonase nga nacionalizmat bullgarë, grekë dhe serbë - nuk rriti njohuritë dhe kuptimin e tokës dhe njerëzve të saj. Vetëm e përkeqësoi: ajo e shndërroi injorancën në konfuzion. Duke mohuar identitetin maqedonas, bullgarët, grekët dhe serbët krijuan dy perceptime të rreme por të qëndrueshme: së pari, se maqedonasit ishin bullgarë ose grekë ose serbë dhe, së dyti, se Maqedonia ishte një përzierje etnike e pashpresë”, kështu   shkruan  Andrew Rossos  në librin  “MACEDONIA AND THE MACEDONIANS”, një libër mbi historinë e Maqedonisë nga viti 600 para Krishtit deri në ditët e sotme .

E ashtuquajtura çështja  maqedonase ka dominuar prej kohësh politikën ballkanike dhe për më shumë se një shekull e gjysmë, ajo ishte çështja qendrore që ndante popujt ballkanikë. Sot  ajo  rikthehet në skenë në një moment kyç për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. Ky emër i madh është shëndërruar  në një pengesë të madhe drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Sikundër ishte paralajmëruar  Bullgaria vendosi veto për kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave me BE, sepse kushtet bullgare në të cilat këmbëngul Sofja, nuk janë përmbushur. Vendimi u bë i ditur nga ministrja e jashtme e Bullgarisë Zaharieva, e cila tha se vendi i saj kërkon respektimin e formulimit të gjuhës në përputhje me Marrëveshjen e vitit 2017, udhërrëfyes me afate të sakta për zbatimin e marrëveshjes dhe tekst të qartë se pakica maqedonase në Bullgari nuk njihet.

“Republika e Maqedonisë Veriore do të ketë një vend në Bashkimin Evropian kur të jetë gati. Për momentin, Bullgaria nuk mendon se është gati. “Bullgaria vazhdon të jetë një mbështetëse e zgjerimit të anëtarësimit në BE dhe kjo nuk ka të bëjë me shtrëngimin e duarve me askënd,”  tha ministrja e jashtme bullgare

Ndërsa nga pala maqedonase Zv/kryeministër për Çështje Evropiane. Dimitrov thotë se ;”Nuk duam të anëtarësohemi në çfarëdo unioni, por në Unionin Evropian dhe është shumë e vështirë të ruhet kuptimi i termit “evropian” nëse sfidohemi me diçka që nuk duhet të jetë çështje në shek.21 në Evropë: Kush jemi ose çfarë gjuhe flasim. Kjo është çështje shumë e brendshme, është thelbi i sovranitetit dhe të drejtës për vetëpërcaktim dhe vetëvendosje. Jemi të interesuar ta kemi mike Sofjen, por të kontestuarit e gjuhës maqedonase nuk është strategjia më e mirë t’ua fitosh zemrat maqedonasve

Duket qartë se qeveria maqedonase më shumë se sa me vetë bullgaret zhgënjimin e kanë me familjen europiane. Dhe me të drejtë është kështu,  duke marrë parasysh se në emër të anëtarësimit në Europë,  Maqedonia ndryshoi emrin në Maqedoni e Veriut.

Pikërisht me Marrëveshjen e Prespës 2 vite më parë, u mendua se saga maqedonase do të përfundonte aty.

Megjithatë tashmë jemi përballë faktit të kryer; Sofja vuri veton në konferencën e parë ndërqeveritare dhe shtyu integrimin evropian të Maqedonisë, duke i kërkuar asaj të bëjë lëshime të mëdha në lidhje me identitetin e saj, gjuhën dhe të fshijë një pjesë të historisë së saj.

Duhet thëne se përkundrejt këtij pretendimi, shpresat ishin te Samiti i përbashket Maqedoni e Veriut–Bullgari që u mbajt në Sofje nën presidencen gjermane të BE-së. Të gjithë kishin besim se Merkel do të gjente një zgjidhje por dhe vete kancelarja e la këtë çështje në duar të Zaevit dhe Borisovit. Ajo thjesht  porositi  dy liderit se duhet të pajtohen dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet që kanë mes tyre.

Tashmë është e qartë që konferenca e parë ndërqeveritare  nuk do të mbahet këtë vit. Edhe pse ishte parashikuar të mbahet gjatë Presidencës gjermane, duke qenë se Gjermania më në krye kancelaren Merkel  është një nga mbështetëset kryesore të antarësimit të Ballkanit Perendimor në BE. Kjo veto bullgare sfumoi Bashkimin Europian dhe vlerat e familjes europiane.

Në këtë situate rikthehemi te kushtëzimet bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria në gusht të vitit 2017 nënshkruajn Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë. Nje  marrëveshje që ka për synim zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve fqinje, që kanë të bëjnë kontestimin e gjuhës maqedonase nga ana e Bullgarisë si dhe mosmarrëveshjeve rreth ngjarjeve historike.

Megjithatë Bullgaria duket se ka dalë jashtë marrëveshjes që ka firmosur tre vite me parë duke i rritur pretendimet e saj rreth vete ekzistences së shtetit maqedon.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka thënë se Neni 2 i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë ku tregon në mënyrë shumë më të përpiktë se si Bullgaria do ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në integrimet e saj në Bashkimin Evropian. Dhe definitivisht sot është shkelur ai nen. Ne asgjë nuk shkelëm nga Marrëveshja me Bullgarinë,

Identiteti dhe gjuha jonë janë ndjenja dhe të drejta që na përkasin neve, shtetet nuk negociojnë për këtë punë.”, deklaroi Zaev.

Kjo duhet të jetë vija e kuqe e Maqedonisë së Veriut përballë pretendimeve bullgare nëse me të vertetë duan  të ekzistojnë si shtet.

Nëse dje  ndryshuan emrin dhe sot kontestohen për gjuhën, kulturën dhe historinë maqedonase, duke mohuar çdo identitet të veçantë maqedonas, atëhere themi që Maqedonia e Veriut po tundet nga themelet…duke u zhbëre si shtet .

Bullgaria nuk pranon as ekzistencën e një minoriteti maqedonas në Bullgari, në Blagoevgrad sikurse pretendon Maqedonia e Veriut.

Kujtojmë se Maqedonasit etnikë në Bullgari janë një grup i përqëndruar historikisht brenda Provincës Blagoevgrad dhe kryeqytetit Sofje. Sipas Komitetit Bullgar të Helsinkit në 1998, numri varionte nga 15,000 në 25,000.

Por që ndër vite ky numër ka ardhur në rënie  sipas censusit të realizuar në periudha të ndryshme.
Provinca Blagoevrag është zona në kufi të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut ku ka përqëndrim te minoritetit maqedonas por që mohohet në mënyrë kategorike nga Bullgaria.

Ndërsa në anën tjetër tre vite më parë Bullgaria na zbuloi një minoritet “bullgar” në Shqipëri. Në të vërtet ata janë maqedonas të bullgarizuar pas marrjes së pashaportave bullgare(që nga momenti kur Bullgaria u bë anëtar i BE) për të shkuar drejt Europës. Sigurisht me lejen e shtetit bullgar të cilët si duket e kanë në axhendën e tyre historike bullgarizimin e maqedonasve kudo që ata ndodhen.

“Projektligji  për pakicën bullgare, erdhi pas letrës zyrtare të dërguar nga Parlamenti Europian, ku  binte në sy gjuha e presionit, pasi në disa paragrafë të saj thuhet: “ju kërkojmë ta bëni me mirësi”. “Si anëtarë të Parlamentit Europian ne do të donim t’ju kujtonim me mirësi, se raporti i progresit vjetor të Shqipërisë, i votuar nga PE më 15 shkurt 2017, neni 24, bën thirrje për sigurimin e të drejtave të etnisë bullgare në Prespë, Gollobordë dhe Gore.

E pra duke qene se Bullgaria është shtet anëtar në Bashkimin Europian dhe një vit më vonë në vitin 2018 do të merrte Presidencen e radhes të BE-së,  e vuri Shqipërinë para një  shantazhimi real për të ardhmen e saj në BE

Shqiperia duke besuar  se Bullgaria do të rriste perspektivën e antarësimit së saj në BE i dhuroi një minoritet. Sigurisht as pas kësaj dhurate Shqipërisë nuk iu hapen negociatat .

Ky është një fakt për  bullgarizmin e ballkanit, është një fakt për format shantazhuese dhe kërcënuese  që përdor qeveria bullgare në kurriz të vetë Europës pasi në emër të Europës, ai  po kushtëzon sot një tjeter shtet. Kësaj herë  egoja është më e madhe se një minoritet, është vete ekzistenca e shtetit maqedon.

Dje ishte Greqia, sot del Bullgaria, nesër mund të dalë Serbia…atëhere lind pyetja cila do të jetë e ardhmja e Maqedonisë së Veriut?

/argumentum.al

© Argumentum