Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon nisjen e gjykimit në qershor të vitit 2022

Në konferencën statutore apo të ecurisë së çështjes, mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ka kërkuar që gjykimi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të nisë jo më herët se në verën e vitit 2022.

Avokati mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi David Hooper dhe ai i ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, Ben Emmerson, gjatë konferencës pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, thanë se ju duhen të paktën 18 muaj që të kryejnë hetime, në mënyrë që të përgatisin mbrojtjen.

Emmerson tha se mendon se gjykimi mund të zgjasë deri në dy vjet.

Avokati i Thaçit, David Hooper e quajti "absurde" pretendimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që gjykimi të nisë në qershor të vitit 2021. Ai tha se mbrojtjes i duhet që të ketë qasje në një aktakuzë që ka shkallë më të vogël të redaktimit dhe "materiali duhet të jetë i hapur për mbrojtjen".

Ndërkaq, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se brenda javësh, palës mbrojtëse do t'iu dorëzohen mbi 1,000 materiale shtesë, duke shtuar se mbrojtja ka materiale të mjaftueshme që të nisë hetimet.

"Për mendimin e Zyrës së Prokurorit, nuk ka arsye që gjykimi për këtë çështje të mos nis në verën e vitit 2021", tha Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit Venkateswari Alagendra dhe ai i Rexhep Selimit, David Young po ashtu thanë se iu duhet kohë e mjaftueshme që të mund të kryejnë hetime të thella.

Zyra e Prokurorit tha se me parashtresën e saj nuk ka sugjeruar që mbrojtja të mos mund të kryejë hetime të thella, por e kundërta, duke shtuar se Prokuroria argumenton se palët mund të nisin sa më shpejt që të jetë e mundur hetimet e tyre.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou tha se në këtë konferencë statusore nuk do të përcaktohet data për nisjen e procesit gjyqësor.

Prokuroria e Specializuar ka kërkuar ditë shtesë që të dorëzojë materialet dhe provat që ka te pala mbrojtëse.

Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara, Prokurori i Specializuar brenda 30 ditësh, që nga paraqitja e parë e të akuzuarve në gjykatë, duhet të njoftojë mbrojtjen për çdo material dhe provë që ka në zotërim,si deklarata, dokumete apo fotografi.

Mbrojtja tha se nxjerrja e materialeve duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, ndërkaq gjykatësi propozoi që Prokurorisë t'i jepet dy javë shtesë që të nisë me dorëzimin e materialeve te pala mbrojtëse.

Ndërkaq, me qëllim të konfirmimit të aktakuzës kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Prokuroria e Specializuar në Hagë është mbeshtetur te 153 dëshmitarë dhe synon që përsëri të mbështetet në shumicën e tyre gjatë gjykimit.

Prokuroria pretendon se lënda e saj disponon me gati 100.000 prova.

Prokuroria, po ashtu thotë se materiali mbështetës për aktakuzën e paraqitur për konfirmim, ka pasur mbi 40 mijë faqe.

Kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë, aktualisht gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve midis palëve. Në këtë konferencë pritet që prokuroria të tregojë se me çfarë lloji të provave disponon.

Sipas një parashtrese të Prokurorit të Specializuar dërguar Dhomave të Specializuara për këtë konferencë, e të publikuar në faqën e tyre të internetit, prokuroria pretendon se për konfirmimin e aktakuzës ka disponuar me material prej rreth 43 mijë faqe, duke përfshirë raporte, deklaratat të dëshmitarëve, fotografi, e mbi 20 orë material audio-vizuel.

Prokuroria thotë se mbrojtjes parashikon t'i dorëzojë provat siç janë raportet, fotografitë, dokumentet e UÇK-së, duke përfshirë urdhrat, rregulloret etj.

Prokuroria akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për kryerjen e krimeve të luftës ndaj qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Prokuroria pretendon se viktimat ishin kryesisht njerëz që gjatë kohës së luftës perceptoheshin si bashkëpunëtorë të forcave serbe, të zyrtarëve apo institucioneve shtetërore apo edhe që nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së.

Kjo, sipas aktakuzës, përfshinte edhe personat e lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.