Merkel iu drejtohet Zaevit dhe Borisovit: Zgjidhni mosmarrëveshjet mes jush!

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, të martën është takuar në Sofje dhe kryeministrin bullgar, Bojko Borisov, në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për çështjet e hapura mes dy vendeve, pavarësisht se Bullgaria veçse ka njoftuar Bashkimin Evropian se nuk pranon kornizën negociuese me Maqedoninë e Veriut.

Pala bullgare konteston identitetin sikur edhe gjuhën maqedonase, me pretendimin se ato deri para vitin 1945 kanë pasur “rrënjë bullgare”. Sikur këtë ta pranonte Maqedonia e Veriut, atëherë Bullgaria do të mbështeste nisjen e bisedimeve, por kjo është kundërshtuar nga autoritetet maqedonase.

Kancelarja Merkel

Vëmendjen e Kancelares gjermane, Angela Merkel, gjatë paraqitjes së saj online në Samitin e Sofjes, e ka marrë mosmarrëveshja mes Maqedonisë dhe Bullgarisë.  Ajo ka porositur vendet e rajonit se duhet të pajtohen dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet që kanë mes tyre.

“Procesi i Berlinit gjithmonë është i lidhur edhe me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe trashëgiminë e të kaluarës dhe shpresoj se ky proces do të vazhdojë. Është shenjë e mirë që konferenca e vendosur në emër të Procesit të Berlinit, ka mundësuar që të takohen njerëzit, vendet anëtarë të Ballkanit. I inkurajoj të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që të avancojnë edhe bashkëpunimin në shkencë, sepse ajo është mënyra më e mirë që të promovohet hulumtimi dhe zhvillimi, inovacioni që të gjithë e duam dhe ajo do përmirësojë gjendjen në shtetet tuaja. Në konferencën e Sofjes, do të dëshiroja t’ju ftoja që të gjithë të vini në Berlin vitin e ardhshëm, shpresoj se do të jetë i mundur ky takim në verën e vitit të ardhshëm dhe edhe njëherë do të vlerësojmë se ku kemi mbërritur me Procesin e Berlinit. Për rajonin ajo që duhet ta them, duhet të pajtoheni, mos harroni, sepse ajo është shumë e rëndësishme”, deklaroi Merkel.

Kancelarja, gjithashtu përshëndeti deklaratat e nënshkruara gjatë samitit, si dhe formimin e tregut të përbashkët të rajonit.

Kryeministri Zaev

Ndërsa Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili së bashku me homologun e tij bullgar, Bojko Borisov, ishin bashkë – kryesues të Procesit të Berlinit këtë vit, tha se për të është shumë e qartë se rajoni e ka pranuar fuqishëm këtë proces si të vetin.

“Bashkimi Evropian në mënyrë të guximshme konfirmoi mbështetjen për Ballkanit Perëndimor, me paralajmërimin e 9 miliardë eurove në grante, si plotësim i instrumentit të ri si garanci për Ballkanin Perëndimor, me të cilin duhet të rriten investimet për 20 miliardë euro shtesë. Kjo pako do të sigurojë mbështetje të madhe financiare për proceset tona të reformave dhe për transformimin e rajonit. Të gjithë ne u pajtuam se duhet të rrisim përpjekjet tona për përparim shtesë real në proceset e reformave si dhe të avancohet bashkëpunimi ekonomik rajonal dhe të vendosen themelet për rritje të qëndrueshme. Vetëm një rajon i integruar mund të shkojë drejt BE-së”, deklaroi Zaev.

Kryeministri i Bullgarisë

Ndërkohë, Borisov u shpreh se dëshirojnë që qytetarët e Ballkanit të kenë sa më shumë të jetë e mundur të ardhura me sa më shumë të ardhura dhe t’i mbajmë në këtë rajon.

Ndërsa Bullgaria ishte iniciuese e deklaratës për ruajtjen e ambientit. “Unë jam shumë i kënaqur nga kolegët që u pajtuan që të nënshkruajmë deklaratën e Sofjes me agjendë të gjelbër për vendet e Ballkanit Perëndimor. Sepse, vendet anëtare të BE-së kemi në plan që për 50 vite të arrijmë 0 emetime”, deklaroi Borisov.