Ministrja Manastirliu: Situata epidemike në vend është kritike, jemi gati për hapjen e spitalit COVID 4

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë një konference për mediat deklaroi se situata epidemike në vend është kritike. Ministrja sqaroi se javët e fundit vihet re një  rritje e numrit të personave të infektuar si dhe të viktimave. Sipas statistikave të publikuara nga ministrja në 100 mijë banorë janë 901 raste pozitive.

“Situata epidemike në vend është kritike, delikate dhe i gjithë fokusi i ynë në zbatimin me përpikëmëri të protokollit.

Situata e ditëve të fundit është e kontrolluar, por është një situatë kritike sepse kemi një dyfishim të rasteve pozitive ditore. Nëse do të bënim një vlerësim të kurbës vërehet një rrije e rasteve pozitive ditore. Nëse do të bënim një vlerësim të sotëm mbi baza ditore, ju e dini që situata e pandemisë kërkon një vlerësim mbi baza dinamike.

Ato, të cilat e matin në mënyrë më analitike kurbën e epidemisë janë incidencat dy javore, si dhe rastet e humbjes së jetëve. Do ta doja që në grafikët që ju shikoni, Shqipëria qëndron në një incidencë dy javore, për total 100 mijë banorë në 901 raste, krahasuar me rastet e rajonit 1454 të prekur për 100 mijë banorë. Ashtu sikurse i përket e rasteve të fataliteteve.

Për ne çdo jetë është e rëndësishme, mjekët dhe infermierët kanë bërë më të mirën e tyre por për fat të keq nuk ja kanë dalë, janë 612 qytetarë dhe nëse do të bënim një vlerësim të fataliteteve, për 1 milion banorë vendi ynë qëndron në 26 raste për humbje jete, ndërsa në rajon është 31.5. Vihet re një rritje e numrit të vatrave të infektimit, ato aktive ku 76 % rezultojnë të jenë vatra familjare", u shpreh Manastirliu.

Ministrja iu bëri thirrje qytetarëve që nëse kanë shenja të virusit duhet me patjetër të izolohen.

“Gjatë kohës së pritjes së testit duhet të qëndrojnë të izoluar. Ata që kanë shenja duhet të izolohen. Volumi i madh i testimeve ka sjellë dhe vonesa. Përgjigja e testit është nga 24 deri në 72 orë. A ka vonesa? Po ka vonesa, por ne po futim edhe testin e shpejtë. Ne jemi duke monitoruar në çdo moment situatën", theksoi ministrja.

Gjatë fjalës saj Ministrja tha se është bërë porosia për 300 mije teste të shpetja.
“Jemi të përgatitur për të financuar testet e shpetja. Është bërë porosia nëpërmjet instrumentit të Bashkimit Europian për 300 mijë teste të shpejta të anti-genit me financim të qeverisë shqiptare”, tha Manastirliu.

Manastirliu theksoi më tej se spitali COVID4 është gati dhe do të hapet pas plotësimit të kapaciteteve të 3 strukturave të dedikuara COVID.

Sipas saj më tej do të vijohet me hapjen sipas 3 skenarëve të spitaleve rajonale, të cilët janë parapërgatitur për trajtimin e pacientëve me COVID19 duke e cuar kapacitetin ne mbi 1600 shtretër për trajtimin e pacientëve të prekur nga virusi.