Ndihma për naftëtarët, Ministria e Financave miraton vendimin: 40 mijë lekë në muaj për 1 vit

Ministria e Financave dhe Ekonomisë bëri të ditur se, qeveria ka vendosur të ndihmojë me 580.2 milionë lekë 870 naftëtarët e Ballshit, pasi këta të fundit mbyllën grevën disa javore dhe pranuan të hynin në diskutime me Kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.

Duke marrë për bazë paketat financiare përgjatë pandemisë, me pagën prej 40 mijë lekësh, si dhe duke marrë për bazë fondin e pagave: Qeveria ka vendosur të japë çdo naftëtari një pagesë mujore në dorë prej 40 mijë lekësh, duke i mbajtur në çdo rast në skemën e sigurimeve shoqërore.

Pra, çdo naftëtar do të mund të çojë në shtëpi 40 mijë në muaj dhe do t’i paguhen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Qeveria është e angazhuar për gjetjen sa më parë të një investitori për rafinerinë dhe rifillimin e punës të naftëtarëve.

Fondi do të mbulojë një pagë mujore për naftëtarët për një periudhë 12 mujore.