Një vit pas tërmetit, Kryeministri Rama bën bilancin për Durrësin

Kryeministri Edi Rama solli sot shifrat e Rindërtimit në Durrës, një vit nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, ndërsa në ditët në vijim do të sillet edhe bilanci i çdo bashkie tjetër të prekur.
Kryeministri Rama theksoi se “bilanci i 1 viti përpjekje për Rindërtimin (megjithë futjen në mes të Covidit e të mbylljes së përgjithshme në pranverë, e cila krijoi një pengesë të madhe e të pashmangshme duke spostuar në kohë disa procese, sidomos me donatorët) është sidoqoftë një arsye e fortë krenarie sot, kur nga financimi me fondet e qeverisë shqiptare dhe puna e palodhur e 24.800 punëtorëve, si edhe falë përkushtimit të institucioneve qendrore e vendore të përfshira, kemi këtë pasqyrë të situatës aktuale”.
Në Durrës janë angazhuar 30 kompani me 4208 punëtorë në kantiere, janë ndërtuar 5 shkolla e kopshte dhe 6 në ndërtim e sipër.
“Nisin së shpejti edhe 19 shkolla e kopshte të tjera, nga të cilat 3 me fondet e qeverisë shqiptare dhe 16 me fondet e donatorëve, 50 banesa drejt përfundimit dhe 350 të tjera në ndërtim e sipër. Nisin së shpejti edhe 380 banesa me fondet e qeverisë shqiptare dhe 2000 apartamente me financim nga Emiratet e Bashkuara, kanë përfunduar riparimet e 145 pallateve me dëme të lehta”, u shpreh Kryeministri.
“Po riparohen, – vijoi ai, – mjediset e përbashkëta në 458 pallate me dëme DS2 – DS3 dhe së shpejti nis riparimi i tyre në 157 pallateve të tjera të kësaj kategorie, si edhe rikonstruksioni i thellë i pallateve me dëme DS4, 9655 familje janë financuar me grante meremetimi të apartamenteve nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë, me një total prej 3,192,050,000 lekë ose rreth 32 milionë USD, 4135 familje trajtohen me bonus qiraje prej muajit dhjetor 2019 deri në kthimin në shtëpi”.
Kryeministri Rama bëri të ditur se “po punohet së bashku me Komisionin Europian për projektet e mbrojtjes e restaurimit të monumenteve të prekura të kulturës dhe rritjes së cilësisë së shërbimit në objektet e trashëgimisë kulturore”.
“Po finalizohet marrëveshja me qeverinë franceze për financimin e vazhdimit më tej të investimeve për sistemin e ujësjellës kanalizimeve të Durrësit. Po kryhen vijimësisht riverifikime të mëtejshme për familje kryesisht jashtë vendit që kanë ngritur pretendime për nivelin e dëmit të banesës dhe askush nuk të jetë kurrë vetëm”, – tha Rama.