NJË VIT PAS TËRMETIT TË 26 NËNTORIT 2019, KRYQI I KUQ SHQIPTAR VAZHDON MBËSHTETJEN E FAMILJEVE TË PREKURA

Një vit si sot, tërmeti që prekuri vendin tonë shkaktoi dëme të konsiderueshme në njerëz dhe në materiale.  

Vullnetarët dhe stafi i Kryqit të Kuq Shqiptar ishin aty pranë familjeve në nevojë, që në momentet e para të kësaj fatkeqësie natyrore. Ndihma e parë dhe mbështetja psikologjike për të gjithë të prekurit ishin dhe veprimtaritë e parë të KKSH, të cilat u shoqëruan më vonë me mbështetjen ushqimore dhe atë materiale, për të pastrehët dhe jo vetëm, për të vazhduar më vonë me një operacion të madh ndihme për familjet më në nevojë që do të përbënte fazën e parë të operacionit të ndihmës të Kryqit të Kuq, i realizuar nga burimet e vetë shoqatës dhe mbështetjen e Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (FNKK&GjK) dhe shoqatat si motrat të vendeve fqinje dhe më gjerë.  

Në katër muajt e parë të pas tërmetit është mundësuar një mbështetje ushqimore dhe jo vetëm për rreth 6400 familje. Kështu, në momentet e para është realizuar shpërndarja e 7300 vakteve ushqimore, 5300 pakove ushqimore, 3850 racione ushqime të thata, etj. Ekipet e vullnetarëve të Kryqit të Kuq kanë mundur që të japin mbështetje psikosociale për rreth 2500 persona në nevojë. Ndërkohë janë ndihmuar familjet në nevojë 30500 batanije, 1050 kuti me veshje, 636 tenda si dhe rreth 2000 sete kuzhine, 6500 kite higjienike familjare, 600 paketa me pelena për fëmijë, etj. 

Mbështetur në eksperiencën më të mirë të veprimtarive humanitare ndërkombëtare në ndihmë të familjeve të prekura nga katastrofat, po realizon me sukses mbështetjen me fonde të familjeve më të prekura nga tërmeti në zbatimi të projektit “Mbështetje financiare për familjet e prekura nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019”. 

Projekti konsiston në mbështetjen financiare me fonde Cash për 1100 familjeve më të prekura nga tërmeti në Bashkitë Durrës, Shijak , Krujë , Laç, Vorë, Kamzë, Tiranë, që janë në vështirësi ekonomike për të përballuar nevojat më të domosdoshme të jetesës. Aktualisht, KKSH po përfundon shpërndarja e gjashtë të kësaj mbështetje.  

Përzgjedhja e familjeve përfituese është bërë në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse të pushtetit, kryesisht nga familjet e klasifikuara në shkallën e dëmtimit DS5 dhe DS4, bazuar në vlerësimin derë më derë të kritereve të përcaktuara paraprakisht si : familje që kanë humbur anëtarë të tyre nga tërmeti; familje në asistencë sociale ; familje me anëtarë me aftësi ndryshe/invalidë/sëmundje kronike ; gra shtatëzëna dhe familje me një prind ; familje me shumë fëmijë nën moshën e punës ; familje me të ardhura shumë të pakta. 

Shuma e përfituar nga familjet është në varësi të numrit të anëtarëve të saj, familjet përfitojnë nga 13 600 lekë në muaj ato me një anëtar deri në 54 400 lekë në muaj muaj, familjet me 4 dhe 5 anëtarë. Shpërndarja e lekëve bëhet me çek, të lëshuar nga Kryqi i Kuq Shqiptar dhe i paguhet nga Raiffeisen BANK.  

Projekti “Mbështetje financiare për familjet më të prekura nga tërmeti i nëntori 2019” mundësohet nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, me mbështetjen e shumë shoqata simotra, qeveri të ndryshme, programi ECHO; donacione bilaterale drejpërdrejt për Kryqin e Kuq Shqiptar nga Kryqi i Kuq i Maqedonise Veriut, Kryqi i Kuq i Malit Zi, Kryqi i Kuq i Kinës, Kompania SHELL; donacione on-line Gofundme nga individë të ndryshëm, etj. 

Kryqi i Kuq Shqiptar do të vazhdojë ashtu si deri tani të qëndrojë pranë familjeve të prekura nga fatkeqësitë natyrore dhe jo vetëm 

Kryqi i Kuq Shqiptar