Ora 03:54, 26 Nëntor 2019…

Ora e Shqipërisë ndaloi në 03:54 minuta të mëngjesit të 26 Nëntorit 2019! Sa herë të trokase kjo orë, kjo datë, do të kujtojmë, do heshtim, do të lutemi…!

Sot 1 vit më parë ora 03:54 minuta, shënoi dhunshëm një kujtim në jetën e secilit prej nesh.

Ishte mëngjesi i 26 nëntorit kur një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter me epiqendër detin Adriatik lëkundi të gjithë vendin. Një tërmet që la pas dhimbje, trishtim, frikë.

98 persona e gjetën veten nën rrënoja pas tërmetit, prej të cilëve 47 u nxorrën gjallë nga forcat e emergjencës që në orët e para pas goditjes, ndërsa 51 fatkeqësisht nuk ia dolën dot. Rreth 900 persona mbetën të plagosur. Qarqet më të dëmtuara ishin Durrësi, Tirana dhe Lezha. Një bilanc i zi që askush nuk do donte ta “firmoste” .

Shqipëria u zgjua nën rrënoja dhe e gjunjëzuar por në vetëm pak orë e gjithë bota do të solidarizohej dhe do të rreshtohej në krah të Shqipërisë përballë kësaj fatkeqësie natyrore.

Ndërkohë që ende nuk ishim të vetëdijshëm për tragjedine që kishte  pllakosur Shqipërinë, vetëm disa kilometra përtej kufirit, Kosova kishte angazhuar forcat e ushtrisë në ndihmë të Shqipërisë amë.

Shqipëria nuk është vetem. Me lot në sy ndjekim karvanin e gjatë të ushtrisë kosovare në Rrugën e  Kombit që nxitojnë të na vijnë në ndihmë.

Ky karvan na kthen 20 vite pas, ku në vitin 1999 vëllezërit kosovarë do vinin drejt Shqipërisë për të gjetur shpëtim nga forcat serbe, sot vijnë për të na shpëtuar.

Emocionuese! Vëllai i vogël  ishte bërë krah. Sa krenari!

Në pak orë, skuadra të tëra shpëtimi do të vinin nga gjithë rajoni por dhe Europa që në orët e para të kësaj tragjedie. E gjithë bota u solidarizua, dhe Flamuri shqiptar do te behej emblema e Unitetit. Sëbashku për Shqipërinë!

Kosovarë, serbë, shqiptarë, kroatë, maqedonas, grek ,megjithse historia pas viteve  90 i ka përplasur në beteja të ashpra, ishin tashmë krah për krah në rrënojat në Durrës dhe Thumanë me një qëllim. Të shpëtonin jetë njerëzish.

Kjo na e lehtëson dhimbjen, na jep forcë, na jep shprese. Vertetë, Shqipëria nuk ishte vetem.  Faliminderit!

Shqipëria nuk do të ishte vetem as përballë sfidës për rindërtimin e banesave dhe biznesve por dhe institucioneve të tjera të shkatërruara nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Më 17 shkurt në Bruksel u mbajt Konferenca e Donatorëve në mbështetje të rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, nën logon “Bashkë për Shqipërinë”.

Gjatë kësaj konferencë, me pjesëmarrjen e 100 shteteve, në ndihmë të Shqipërisë u dha një kontribut nga secili dhe shuma totale e mbledhur është 1.15 miliard euro.

Sot 1 vit më pas, disa kantjere ndërtimi janë hapur, dhe kryeministri i vendit nuk përton ti vizitoje me dhjetra herë, ndërsa ende qindra familje janë në qiell të hapur dhe me plagët e hapura. Kësaj herë jo nga fatkeqesia natyrore por nga papërgjegjshmëria njerëzore.

/argumentum.al

© Argumentum