Osmani: Do të shfuqizohen vendimet që janë në kundërshtim me praktikat diplomatike

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka thënë të mërkurën se do të shfuqizojë dekretet e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që janë në kundërshtim me praktikat diplomatike.

Ajo i ka bërë këto komente pas raportimeve të mediave lokale në Kosovë se Flakron Shala, djali i deputetit Haxhi Shala, është emëruar Konsull i Përgjithshëm në Pragë.

Osmani ka thënë se pavarësisht kërkesës së saj ndaj Qeverisë së Kosovës për të shqyrtuar dokumentet për shërbime diplomatike, ende nuk ka fituar qasje në këtë material.

“Konsullata e Përgjithshme në Pragë dhe emërimi i Konsullit të Përgjithshëm aty, janë në kundërshtim me çdo praktikë diplomatike dhe konsullore të vendeve demokratike. Nuk mund të hapen Konsullata të Përgjithshme në të njëjtin qytet ku kemi edhe Ambasadë. Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i vetëm. Është praktikë e mbrapshtë, të cilën duhet ta kthejmë mbarë. Prandaj ato dekrete do të shfuqizohen”, ka deklaruar Osmani përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Kujtojmë se vota e Haxhi Shalës ka qenë vendimtare në votimin e Qeverisë aktuale të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, kur është votuar për qeverinë e re, deputeti Shala pati deklaruar se ai ka ndryshuar mendimin për ta votuar qeverinë, pasi një natë më parë kishte takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Emërimi i Flakron Shalës në këtë pozitë është kundërshtuar edhe nga shoqëria civile në Kosovë.