Pacolli letër Ramës "Shqipëria të udhëheq një fushatë diplomatike rreth krimeve të luftës që Serbia ka kryer në Kosovë"

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli i ka dërguar një letër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama ku kërkohet nisja e një fushate diplomatike kundër raportit të Dick Marty. Sipas Pacollit fakti që Gjykata Speciale ndaj të akuzuarve të UÇK-së nuk ka përfshirë asnjë pjesë të këtij raporti, gjë e cila vërteton rrëzimin e pretendimeve.

Deputeti Pacolli thotë se Marty u sponcorizua nga Rusia dhe Serbia për të goditur pavarësinë e Kosovës. Sipas tij beteja diplomatike duhet nisur nga Këshilli i Europës, aty ku pikërisht raporti u miratua si rezolutë.

“Nëpërmjet një letre, i kam kërkuar kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama të drejtojë një përpjekje të gjerë kombëtare për të kundërshtuar në mënyrë diplomatike raportin Dick Marty dhe së bashku Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë të udhëheqin një fushatë informuese dhe diplomatike rreth mosndëshkueshmërisë së thellë të krimeve të luftës që Serbia ka kryer në Kosovë.

Dick Marty ishte rezultat i një dezinformimi dhe fushate politike të sponsorizuar nga Rusia dhe Serbia për të sulmuar pavarësinë e Kosovës dhe UÇK-në.

Aktakuza kundër Presidentit Thaçi dhe të tjerëve nuk kishte përfshirë ndonjë pjesë nga raporti i Dick Marty, kështu që ky raport përmes një institucioni gjyqësor është hedhur poshtë dhe kjo tregon se raporti ka qenë vetëm një mjet politik nga Rusia dhe Serbia për të sulmuar Kosovën. Kjo kërkon një sfidim nga brenda Këshillit të Evropës(aty ku Shqipëria është anëtare) nga ku ka dal raporti i Dick Martit”, shprehet Pacolli.

Kjo kërkon një sfidim nga brenda Këshillit të Evropës(aty ku Shqipëria është anëtare) nga ku ka dal raporti i Dick Martyt.

Na duhen veprime diplomatike të drejtuara nga Shqipëria, që do të kundërshtonin raportin e trilluar të Dick Marty në Këshillin e Evropës, por gjithashtu do të adresonin kërkesat për hetimin e krimeve të luftës që Serbia ka kryer në Kosovë, më e rëndësishmja fshehja e trupave të personave të zhdukur.

Kombi ynë, historia jonë dhe lufta jonë për çlirim dhe pavarësi është nën sulm. Së bashku dhe të unifikuar duhet të përgjigjemi.
Ne nuk mund të pranojmë që një Gjykatë e krijuar nga Kuvendi i Kosovës të ofroj amnisti krimeve të luftës qê Serbia ka kryer në Kosovë dhe për të ndryshuar rrëfimin historik të vendit tonë sipas gjuhês e mendësisë së prokurorëve serbë.
Ne kemi krijuar institucionet që duhet të merren me drejtësinë, por drejtësia në Hagë po tradhton popullin e Kosovës, po përpiqet të japë amnistinë e krimeve serbe të luftës në Kosovë dhe po ndryshon pozicionin e viktimës me agresor.

Ne nuk mund ta tolerojmë këtë.
Ne duhet të veprojmë.