Pandemia Covid-19, Presidenti i Maqedonisë së Veriut nënshkruan urdhër për angazhimin e ushtrisë

Presidenti i Maqedonisë së Veriut dhe komandanti suprem i forcave të armatosura, Stevo Pendarovski, ka urdhëruar ushtrinë e vendit që një pjesë të forcave dhe burimeve të saj t'i angazhojë si forca të paarmatosura për të kryer detyra në mbështetje të institucioneve të vendit në trajtimin e pasojave nga koronavirusi i ri (COVID-19),

Sipas urdhrit të presidentit, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë do të angazhojë forca dhe burime për mbështetje mjekësore në punën e institucioneve shtetërore dhe qendrave të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe në transportin e mjeteve dhe pajisjeve mbrojtëse dhe mjekësore.

Ushtria e Maqedonisë së Veriut ka filluar të ndihmojë policinë dhe stafin mjekësor për t’u përballur me Covid-19. Angazhimi i fundit i ushtrisë ishte gjatë gjendjes së jashtëzakonshme kur në Maqedoninë e Veriut kishte edhe orë policore.

Ushtria për momentin është e angazhuar si roje nëpër spitalet e shumta të shtetit, për të asistuar policinë në parandalimin e ikjes apo kontaktit të personave të infektuar me ndonjë njeri nga jashtë.

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut raporton se në gjithë vendin janë regjistruar 1212 të vdekur nga Covid-19.

Qyteti më i prekur në Maqedoninë e Veriut është Shkupi, ndërsa në raportin e një dite më parë u raportuan 26 viktima dhe 1321 raste pozitive.