“Patriotizmi dhe Integrimi Europian”

Nga Ardit Gjinali

Patriotizmi është beteja moderne dhe  fisnike për vlerat njerëzore dhe shoqërore, zhvillimin kombëtar, qeverisjen e mirë, standartet demokratike, shanset e barabarta, drejtësinë; - është sfida individuale për ndryshimin pozitiv të së tashmes dhe përpjekja për vendosjen e themeleve të qëndrueshme shoqërore të së ardhmes. Patriotizmi evokon ndryshimin për një shoqëri të lirë dhe demokratike, qeverisje të pakapur nga segmente të errëta të nëntokës, ligjshmërinë që godet korrupsionin dhe institucionalizmi i shtetit mbi anarkinë e institucionalizuar të anti-shtetit të të  gjithë-pushtetshmit. Patriotizmi është ideali që evokon ndërtimin e një shoqërie ku demokracia dhe stabiliteti nuk janë vetëm koncepte teorike; janë të ndërlidhura reciprokisht dhe nuk mund të përjashtojnë njëra tjetrën në ndërtimin e një shoqërie moderne ku mbizotëron rendi i zbatimit të ligjit dhe standarteve demokratike, gjithashtu. Patriotizmi nuk është retorikë, por një tërësi aktesh të vërteta morale dhe politike që synon zhvillimin e shoqërisë duke hedhur poshtë retorikën e nacionalizmit arkaik të keqqeverisësit që rreket të manipulojë emocionet njerëzore përmes ndërtimit të gënjeshtrës të së tashmes në mungesë të vizionit për të ardhmen. Patriotizmi është  shprehja më  e lartë  e idealeve njerëzore dhe qëndron në themelin e çdo kombi të qytetëruar; i njëjti është i  mbrujtur në  angazhimin e thelluar të  individit,  rritjen e vetëdijes kombëtare, inkurajimin e reagimit shoqëror ndaj fenomeneve negative dhe bashkepunimin  e faktorëve politikë  për realizimin e misionit të Integrimit Euro Atlantik; mision që buron nga vokacioni perëndimor i qytetarëve shqiptarë që u konsolidua si pasojë e ndryshimeve demokratike, hapjes territoriale të vendit dhe arritjes së një dimensioni njerëzor të lirisë. Përmbushja e kritereve të detyrueshme për realizimin e proçesit të Integrimit është  shprehja më e lartë  e patriotizmit ku interesi kombëtar prevalon mbi interesin  dhe llogaritë e ngushta  politike ,  shteti prevalon mbi pushtetin,  qeverisja prevalon mbi sundimin,  gjithëpërfshirja prevalon mbi përjashtimin, dialogu dhe marrëveshja  politike  prevalon mbi shurdhërinë dhe konfliktin politik , llogaridhënia dhe transparenca ndaj opinionit publik prevalon ndaj  indiferencës ,  heshtjes dhe fshehjes ndaj të njëjtit.

Shqipëria e së sotmes është antiteza e trishtë e parimeve pozitive të shprehura më lart; rrugëtimi regresiv i këtyre 7 viteve medet qeverisje dhe në vazhdim e kanë dërguar  proçesin e Integrimit në hullitë e një dështimi qëllimisht të vazhdueshëm duke e shndërruar të njëjtin nga një realitet i prekshëm në një pritshmëri negative që ka inkurajuar shpopullimin kombëtar dhe mungesën e theksuar të një mjedisi të shëndetëshëm demokratik. Ecuria negative e proçesit të Integrimit është akti më i lartë anti-kombëtar i një qeverisjeje që e ka shndërruar Shqipërinë në një aktor të dobët politik në rajon; ka humbur primatin e rolit si faktor stabiliteti dhe ka nxirë emrin e vendit në raportet e vazhdueshme të organizmave të pavaruar ndërkombëtarë që e përshkruajnë Shqipërinë si një oaz ku korrupsioni shtetëror, anarkia e institucionalizuar, demokracia hibride dhe trafiqet mbizotërojnë, formësohen  dhe zhvillohen me bekimin e keqqeverisësve.

Vendi gjendet përballë një asfiksie tërësore ku beteja për rikthimin e shpresës është misioni më i lartë që do të ishte pararendja drejt një ndryshimi të madh që mund të arrihet përmes një bashkimi të madh përtej ndasive dhe llogarive të vogla; bashkim i madh që do të mundësonte largimin e një të keqeje të madhe që ka kapluar indivdin, shoqërinë dhe Republikën; e tilla që është rrëzuar bashkë me premtimet dhe  realitetin në versionin e lugës së zbrazur dhe tepsisë së boshatisur nga orekset e pakontrolluara dhe grykësia e pashembullt e klientelës qeverisëse. Bashkimi i madh për ditë më të mira është kërkesa e periudhës së vështirë që po jetojmë, në  errësirën dhe dritëshkurtësinë qeverisëse, në boshllëkun e shtetit që mungon dhe të një shoqërie që lëngon; është apeli për një Shqipëri normale me një qeveri normale dhe një Kryeministër normal, gjithashtu; bashkimi i madh për një atdhe që meriton të jetë i rëndësishëm sërish, për një rini që nuk largohet, për një qeverisje për njerëzit ku përmbyllja e proçesit të Integrimit është akti më i lartë patriotik. 25 Prilli është vija ndarëse me keqqeverisjen, korrupsionin, babëzinë; është mundësia e ngadhënjimit të vlerave më të larta të patriotizmit modern në një vend që jetohet dhe punohet me dinjitet dhe me mundësi të barabarta. Bashkë sepse ka ende shpresë....

/argumentum.al

© Argumentum