Presidenti Meta nga Bylisi: Nuk do lejojmë askënd të na cënojë identitetin tonë kombëtar…

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me anë të një ceremonie solemne të organizuar në qytetin antik të Bylisit, dy artistë të shquar të polifonisë shqiptare.

Kreu i Shtetit dekoroi me Titullin Mjeshtër i Madh” zotin Guri Rrokaj “Për talentin e spikatur artistik në fushën e folklorit. Krijues, mbartës, studiues e interpretues virtuoz i këngës polifonike shqiptare. Për rolin e veçantë në kultivimin dhe përsosmërinë e këngës së trevës të Mallakastrës”, si dhe zotin Yzeir Llanaj me motivacionin: “Personalitet i shquar i kulturës popullore dhe folklorit me kontribut të spikatur. Krijues, studiues dhe interpretues i polifonisë; drejtues e organizues me nivel të lartë artistik i shumë veprimtarive dhe festivaleve folklorike brenda e jashtë atdheut”.

Fillimisht, Presidenti Meta, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, z.Qerim Ismaili, autoritetet vendore, Profesor Neritan Ceka, arkeologë të rinj, personalitete të artit e kulturës dhe dhjetëra banorë, vizitoi rrënojat antike të Bylisit, një prej kulmeve të qytetërimit ilir, duke u ndalur veçanërisht në Amfiteatrin e famshëm.

Në fjalën e rastit të mbajtur gjatë ceremonisë së dekorimit, Kreu i Shtetit u shpreh:
“Jam i lumtur që jemi sot në Bylis, në këtë mrekulli që ndriçon qytetërimin tonë të lashtë në këto troje!
“O i huaj mos ju shmang vështrimit nga bukuria e Bylisit”, do të gdhendej ky mbishkrim në një prej mureve të lashtë të këtij qyteti.

Ky elozh për këtë pasuri tonën të jashtëzakonshme na tundoi edhe ne sot, të organizonim këtu një aktivitet në nder të polifonisë.

Këtë muaj grupet polifonike të mbarë vendit festojnë 15-vjetorin e përfshirjes së polifonisë shqiptare në listën e pasurisë së kulturës botërore UNESCO.

Nuk mund të gjenim amfiteatër antik më të arrirë se Bylisi për të hapur siparin e veprimtarive që përkujton këtë arritje të etnokulturës dhe pasurisë tonë shpirtërore.

Shqiptarët gjithmonë do të krenohen me këtë trashëgimi të vyer të të parëve tanë.
Ne kemi trashëguar prej ilirëve jo vetëm gjuhën e folur, konstruksionin shpirtëror dhe identitetin kulturor por edhe veprat monumentale dhe artefaktet e një qytetërimi brilant.

Si shqiptarë dhe banorë etnik të këtyre trojeve, ne jemi krenarë që në çdo etapë të historisë kemi të stampuar në mënyrë të pandërprerë gjurmët e civilizimit tonë të radhë si popull.
Të parët tanë ja kanë dalë të ruajnë integritetin dhe etnosin e botës shqiptare me gjithë erërat e fuqishme që i është dashur të përballojnë përgjatë gjithë historisë sepse Shqipërisë asnjëherë nuk i kanë munguar burrat që i dalin zot vatanit.

Me këtë rast do të doja të përulesha me nderim të thellë dhe të përgëzoja arkeologët tanë të dashur dhe të shquar, të cilët janë treguar misionarë të vërtetë të ruajtjes së pasurisë sonë monumentale, pavarësisht nga vështirësitë e mëdha që ata kanë ndeshur, të cilat i ndeshin dhe sot.

Ndjehem i nderuar, si të gjithë ju, që jemi sot këtu bashkë me profesor Neritan Cekën, zbuluesin dhe promovuesin e Bylisit, si dhe me ekipin e arkeologëve të rinj të cilët vazhdojnë traditën fisnike të shkollës sonë të arkeologjisë.

Ky qytet i lashtë është një shembull i shkëlqyer, jo vetëm punës së mrekullueshme që kanë bërë arkeologët dhe shkencëtarët tanë por njëkohësisht edhe i vizionit për ta kthyer këtë pasuri të jashtëzakonshme kulturore në një promovim për turizmin dhe imazhin e vendit tonë!
Nder respekt dhe mirënjohje e pakufishme për kontributin e tyre dhe mbi të gjitha për atdhedashurinë e tyre!