Presidentja e KE-së zhvillon bisedë telefonike me kryeministrin Rama

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen zhvilloi të premten një bisedë telefonike me Kryeministrin Edi Rama, me të cilin diskutoi rreth ecurisë së reformave dhe preocesit integrues të Shqipërisë drejt BE-së.

“Diskutim konstruktiv si gjithmonë me mikun tim të mirë, kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama mbi mënyrën më të mirë për të ecur përpara me procesin e zgjerimit dhe zbatimin e shpejtë të planit ekonomik dhe të investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor,” – shkroi në Twitter, von der Leyen.

Pika kryesore e planit ekonomik për rajonin e Ballkanit Perëndimor është krijimi i hapësirave të përbashkëta të bashkëpunimit dhe ndërveprimit ekonomik, sidomos në shkëmbimin e mallrave dhe punësimin.

Diskutimi mes Presidentes së KE-së dhe kryeministrit Rama vjen një ditë pasi BE njoftoi alokimin e një fondi grantesh prej 103.3 milionë eurosh, të cilat jepen me synimin kryesor mbështetjen e rrugës evropiane të Shqipërisë.