Sot 19 viktima nga Covid në Shqipëri/ Basha: Numrat e vërtetë që fsheh Rama janë shumë më keq.

Në lidhje me rekordin e viktimave që u shënua sot nga COVID-19, ku 19 pacientë humbën jetën në 24 orët e fundit si asnjëherë më parë, ka reaguar lideri i PD, Lulzim Basha.

Basha thotë se numrat e vërtetë që fsheh Rama janë shumë më keq. Kreu i PD i rikthehet sërish takimit me mjekët teksa shton se ata i përshkruan një realitet shumë shqetësues.

Statusi

U takova sot me një grup nga mjekët tanë të mrekullueshëm. Ata janë në vijën e parë të luftës me COVID. I përgëzova për përpjekjen e tyre për të shpëtuar jetë. Mjekët tanë përballen heroikisht në këtë betejë, edhe pse nuk marrin thuajse asnjë ndihmë nga qeveria.

Ata më përshkruan një realitet shumë shqetësues. Sot, një numër rekord vdekjesh janë regjistruar në Shqipëri që nga marsi. Fatkeqësisht, numrat e vërtetë që fsheh Rama janë shumë më keq.

Shqipëria hyri në krizën e COVID në një situatë të vështirë, pas 7 vitesh përgjatë të cilave Rama e gjunjëzoi ekonominë dhe rrënoi sistemin tonë shëndetësor. Qytetarët e Shqipërisë janë ata që po e paguajnë çmimin e papërballueshëm. Shqipëria ka nevojë për një qeveri funksionale që punon për njerëzit dhe kujdeset për ta. Është në dorën tonë ta bëjmë realitet këtë.

h.b/dita